Media

10 arsye përse duhet t’i takoni këto tre motra!

10 arsye përse duhet t’i takoni këto tre motra!

Dhe shumë arsye të tjera se përse duhet të shkoni në teatër.

Nga Dalina Buzi ~

E nisa shkrimin me një titull të zakonshëm prej Anabel-i, që zakonisht të fton të lexosh një shkrim mbi modën, showbizin apo mbi arsyet se përse “duhet të jeni bashkë”, sepse kisha frikë që nëse titulli do të ishte ai që duhet të jetë “Sukses në Teatrin Kombëtar”, apo më keq, të përmendja Çehovin (që ndoshta një pjese të madhe të gjeneratës Smartfone, u duket si emri i një atleti rus), nuk do të kishte aq klikime sa meritonte shfaqja “Tre motrat”, e cila të shtunën (17 Janar) kishte premierën e saj në Teatrin Kombëtar.

Në kohët moderne të Fast-Kulturës, mund të duket si një “marrëzi” nga ana e drejtorit të Teatrit Kombëtar dhe regjisorit Hervin Çuli, vendosja në skenë e një drame klasike, të shkruar në Rusinë e ftohtë të 1900-ës, rreth 3 orë e gjysëm të gjatë, me shumë monologje dhe momente dramatike dhe me mbyllje të trishtë.

Një marrëzi që në fakt rezultoi të ishte zgjedhja më e duhur për të ruajtur të paktën emrin e institucionit kryesor të Teatrit, i cili fizikisht po rrënohet nga dita në ditë.

Janë ngjitur shumë vepra të mira në këtë Teatër gjatë viteve të post-komunizmit, aq sa janë ngjitur edhe vepra që ndoshta do të ishin mirë të shfaqeshin në një teatër eksperimental ose në një skenë më të vogël. Ka pasur edhe komedi me sukses të jashtëzakonshëm, sepse i janë përshtatur nëpërmjet batutave realitetit shqiptar. Por në një përpjekje të përgjithshme të çdo institucioni që kërkon të “shesë”, edhe Teatri Kombëtar nuk ka ngelur prapa në pop-ularizimin e veprave, shpesh duke i zhveshur ato plotësisht nga mendimi origjinal i autorit të huaj, për ta bërë sa më komerçiale dhe për të afruar sa më shumë shikues të thjeshtë.

“Tre motrat” nuk ka asnjë lidhje me komercin. Madje, për njerëz që do të përtojnë ta lexojnë edhe këtë shkrim përtej paragrafit të parë, kjo dramë nuk është e këshillueshme. Nuk ka fund të lumtur përrallash, nuk ka komedi në nivel “gajasjeje” edhe pse ka shumë momente humori, nuk ka seks, nuk ka aksion, nuk ka vetëvrasje në mes të skenës, as aktorë që zhvishen, nuk ka ritmin e një filmi hollivudian ku gjërat ecin shumë shpejt dhe si pa kuptuar shfaqja ka mbaruar.

Cilat janë tre motrat?
Tre motrat” flet për jetën e Ollgës, Mashës dhe Irinës në një qytet të vogël në Rusi në fund të shekullit të 19-të. Ngjarja, edhe pse e shkruar 2 shekuj më parë ka një ngjashmëri të madhe me Shqipërinë e 2015-ës. Personazhet duket sikur kanë ngecur, ëndrrat nuk u realizohen dhe në vend të përpiqen, qajnë për dështimin e tyre dhe pranojnë fatin. Motra e madhe Ollga (Anila Bisha), donte të martohej, madje siç i thotë motrës së saj të vogël Irinës (Elia Zaharia), do të martohej me këdo “qoftë edhe të madh në moshë” nëse do t’i propozonte. Por në pamundësi, mori rolin e nënës në familje dhe iu kushtua mësuesisë.

Masha, motra e dytë (Gladiola Harizaj) u martua shumë e re, 18 vjeç, me një burrë që siç e kujton ajo “i dukej gjeni”, por më pas e kuptoi që nuk ishte i duhuri dhe kjo vuajtje e çoi drejt tradhëtisë bashkëshortore me një kolonel (Helidon Fino).

Irina ishte ëndërrimtarja, romantikja që shpëtimin e gjente vetëm në Moskë, aty ku se do të gjente dashurinë e vërtetë, por në realitet pranoi martesën me një baron, të cilin siç thoshte vetë “e adhuronte, por nuk e dashuronte.” Burrat që hyjnë e dalin në shtëpinë e tre motrave, janë të gjithë të dobët, romantikë, qajnë dashuri të humbura apo të pamundura, vuajnë martesa të palumtura, pranojnë tradhëtitë e grave apo pamundësinë për të realizuar ëndrra profesionale. I vetmi njeri pa ëndrra, por “praktik” në egoizmin dhe mungesën e ndjeshmërisë së saj, ishte Natasha (Ina Gjonçi), “nusja” e shtëpisë, gruaja e vëllait të vetëm të motrave, e cila e krijoi lumturinë e saj duke përfituar nga dëshpërimi i pjesës tjetër të familjes. Ajo krijoi një lidhje jashtë-martesore, mori hapësirat më të mira të shtëpisë për fëmijët e saj dhe gradualisht kontrollin mbi të gjithë pronën.

“Tre Motrat” për ata që duan Teatrin
Që të shohësh “Tre motrat”, fillimisht duhet të duash Teatrin. Teatrin e skenografisë, e kostumografisë, teatrin e fjalës dhe interpretimit. Duhet të duash (jo detyrimisht Çehovin), por edhe ngadalësinë në veprime të letërsisë klasike, e cila i jepte shumë rëndësi fjalës.

Të mendosh që Çehovi e ka vënë këtë vepër në skenë 20 vjet pasi ishte shpikur elektriciteti dhe netët e gjata e të ftohta ruse,i jepnin gjithë kohën e mundshme për të shkruar dhe më pas publikut romantik dhe pa shumë argëtime, kohën për të shijuar e duruar në një shfaqje të gjatë.

Herë pas here dialogjet, ndërpriten nga monologje të personazheve, të cilat edhe pse të shkruara një shekull e ca më parë, pasqyrojnë të njëjtat mendime të brendshme (thjesht në një formë letrare dhe jo sms-eske) që shpesh vërtiten në mendjet tona dhe për më tepër në Shqipërinë e sotme.

Irina (Elia Zaharia) thotë: Është më mirë të jesh një kalë që punon, sesa një vajzë e re që zgjohet në orën 12-të, pi kafen në krevat dhe harxhon dy orë duke u veshur.” (përkth.i redaktorit)

Kolonel Vershinin (Helidon Fino) përfaqëson zërin optimist të atyre njerëzve që shpresojnë se do të bëhet më mirë, kur shprehet: “ Le të supozojmë se midis 300000 banorëve të këtij qyteti të mbrapshtë dhe të ashpër, janë tre njerëz si vetja jote. [P]ak e nga pak, sa më shumë kalon koha, detyrohesh të humbësh në këtë turmë; jeta e tyre do të të vërë për poshtë, por prapë, nuk mund të zhdukesh pa influencuar askënd.” (përkth. i redaktorit)

Vëllai Andrej (Lulzim Zeqja) flet për pesimizmin që kaplon një qytet ku asnjë s’ka asnjë ambicie. “Këtu vetëm hanë, pinë, flenë dhe pastaj vdesin…dhe e bëjnë jetën shumëngjyrëshe me thashetheme prapa shpine, vodka, bixhoz dhe gjyqe.” (përkth.i redaktorit)

Doktori 60-vjeçar Ivan (interpretuar nga Bujar Asqeriu) rrëfen se si njerezit nuk kanë asnjë dëshirë për të mësuar dhe pretendojnë se dinë, nga ajo çfarë lexojnë në gazeta. “Padje, po bisedonin në klub dhe përmendën Shekspirin, Volterin. Unë s’i kam lexuar kurrë, nuk kam lexuar asnjë prej tyre dhe i bëra të besonin se i njihja. Kështu bënë edhe të tjerët. Sa e shëmtuar!”

Chekhovi është një mjeshtër i fjalës dhe zgjedhja që i ka bërë regjisori Çuli, për të ruajtur identitetin e versionit origjinal, të bën të përqëndrohesh tek çdo fjali e të shijosh rikthimin e letërsisë së mirë, që nëse s’të jepet me detyrim në shkollë ose nuk e ke pasion, fatkeqësisht shumë rrallë mund ta ndeshësh.

“Tre motrat” për ata që e duan historinë
Që të shohësh “Tre motrat” duhet të duash historinë. Regjisori Hervin Çuli i ka ndenjur shumë besnik veprës, jo vetëm në dialogje, por edhe në skenografi (realizuar me mjeshtëri nga Kristo Çala) dhe në kostumografi. Përpos faktit që aktorët janë shqiptarë me tipare mesdhetare, çdo gjë tjetër i ndihmonte që ata të “shkriheshin” me periudhën kur zhvillohej ngjarja.

Skenografia e cila ishte “zgjatur” deri në mes të skenës, portretizonte kryesisht ambientin e një shtëpie ruse të një niveli pak mbi mesataren. Kapërcimi nga skenat e oborrit në skenat “brenda” ishte realizuar me mjeshtëri duke përdorur jo vetëm elementët ndarëse butaforike, por edhe një ledëall që reflektonte gjëndjet e ndryshme të pjesës së jashtme (errësirë, dritë, zjarr) dhe krijonte thellësi. Spektaktori shpesh ndihej sikur ishte brenda shtëpisë dhe arrinte të shihte nga dritarja se çfarë ndodhte në oborrin përjashtë.

Kostumografja Berina Kokona, kishte bërë një zgjedhje të zgjuar të përshtatjes së veshjeve edhe me zhvillimin e personazhit. Në fund, kur motrat mësojnë për vdekjen e baronit Nikollaj (Neritan Liçka), një ditë përpara martesës së tij me Irinën, fustani i njëjtë që ajo (Irina) kishte me motrën e madhe (Ollga), njehsohej edhe me rrjedhën që do të merrte jeta e të dyjave. Ato do të jetonin bashkë, të pamartuara dhe do t’I kushtoheshin punës si mësuese. Ndërkohë, Masha gjatë gjithë kohës ishte e veshur me një fustan të zi, chic dhe modern, që pasqyronte si dëshpërimin e saj të brendshëm ashtu edhe sensualitetin gati në shpërthim, në pritje për t ‘iu dhënë një dashurie jashtë martese. Natasha dhe koloneli optimist ishin elementët e vetëm që nëpërmjet kostumografisë sillnin ngjyra, por për arsye të ndryshme. Koloneli me kostumin e tij ushtarak me elemente të kuqe, ishte drita e shpresës që vinte “nga jashtë” për Mashën, ndërsa fustanet me ngjyra të forta dhe ekstravagante të Natashës, në kontrast të plotë me uniformitetin dhe neutralitetin e kostumeve të tjera, parodizonin dëshirën e personazhit për t’u dukur aristokrate dhe sa më shumë zhvillohej karakteri, aq edhe më të çuditshme bëheshin veshjet e saj.

“Tre motrat” për ata që duan aktrimin.
Shfaqja “Tre motrat” në disa role, vjen me interpretime nga dy aktorë, por unë pata rastin të ndjek premierën e parë dhe duke parë punën e jashtëzakonshme të këtij grupi, nuk dyshoj që edhe aktorët e premierës së të Dielës, do të jenë në të njëjtin nivel.

Dy nga rolet më të vështira, për mendimin tim, për shkak të zhvillimit të karakterit nga nisja e shfaqjes deri në fund, u realizuan mjeshtërisht nga dy aktoret Elia Zaharia dhe Ina Gjonçi.

Në rolin e Irinës, Elia shkëlqeu.
Të jem e sinqertë, nuk kam patur mundësinë ta ndjek në shumë role të saj (“Shtrigat e Salemit” është shfaqja që kujtoj), por duke e parë atë mbrëmje, më vjen keq që shumicën e publicitetit mediatik e ka patur më shumë për martesën e saj me Mbreti Leka II  (madje dhe kopertinat e revistave janë përpjekur ta shesin më shumë në rolin e një princeshe-wanna be), sesa për talentin e jashtëzakonshëm, që besoj nëse nuk ka zënë vend ende, ky talent, do ta klasifikojë shumë shpejt në “asetet” e Teatrit Kombëtar. E bija e një prej aktoreve më të mira të Teatrit Kombëtar, Yllka Mujo, Elia vulosi zyrtarisht emrin e saj me këtë rol.

Kapërcimet nga 20-vjeçarja naïve që i gëzohej edhe një lodre të thjeshtë fëmijënore në një grua të pashpresë në fund të shfaqjes, u realizuan me shumë natyralitet dhe ajo ishte aq e besueshme në rolin e saj, saqë të përfshinte të përjetoje si gëzimet e saj të vogla ashtu edhe shpërthimin, kur kuptoi se s’kishte më mundësi të shkonte në Moskë (Dhe unë qava).

Ina Gjonçi, për ata që nuk e ndjekin teatrin ishte një zbulim. Edhe pse ka patur shumë role të tjera të mira në shfaqje të suksesshme (Kujtojmë “Kasollja e vogël”) ky rol për mendimin tim do të klasifikohet në CV-në e saj si “roli i jetës”, jo vetëm prej interpretimit, por sepse për aktoren, e cila ka preferuar të mos e mediatizojë shumë veten, përtej punës së saj në Teatër, kjo shfaqje do të jetë një trampolinë drejt një vizibiliteti dhe një vëmendje më të madhe ndaj saj, siç ka ndodhur me aktorët të tjerë në këtë pjesë. Në vijë të zhdrejtë me Irinën, Natasha e interpretuar nga Ina Gjonçi, e nisi dramën si një vajzë e trembur dhe e ndjeshme që hynte me turp në familje dhe përfundoi në një pozicion autoritar, gati psikopatike në sjellje, gjithmonë duke ruajtur elementin humoristik në veprime dhe gjuhën e trupit, siç e kishte projektuar edhe Çehovi. Ina Gjonçi e ndan këtë rol me Olta Gixharin, e cila do të jetë në premierën e ditës së dielë dhe në ditë të përcaktuara në vazhdim.

Veçova këto dy aktore për personazhet që ato kishin, por mund të them që interpretimi i të gjithë grupit të premierës së parë ishte i shkëlqyer.

Gjuha e trupit të Gladiola Harizaj (në rolin e Mashës) në shumë momente kur personazhi i saj preferonte të sillej si “menefregiste” ndaj ngjarjeve në shtëpi, reflektonte më së miri gjendjen emocionale të gruas së palumtur dhe më pas shpërthimet e saj të befasishme e kapërcimet nga nervozizmi në butësi, ishin kuptuar mjaft qartë nga aktorja. Në të njëjtin rol, të dielën në skenë do të ngjitet aktorja e sapo-bërë mama Erjona Kakeli.

Aktorja Anila Bisha, ndoshta nuk kishte rolin më interesant, për shkak se Ollga të tillë e zgjodhi jetën: beqare, e përkushtuar ndaj familjes dhe e plakur përpara kohe, por arriti të sillte shumë mirë dhe pa grimasa apo impostime të tepruara (qe me raste i karakterizojnë aktorët e teatrit në role dramatike) “kondra-pedalin” e dy motrave të tjera më vibrante.

Bujar Asqeriu ka sjellë një rol të jashtëzakonshëm të doktorit Ivan dhe nëse e shihje me vëmendje edhe në momentet kur ai nuk fliste, e ndjeje që ai ishte i përfshirë plotësisht nga karakteri. Autoriteti që ai ka mbi aktorë të tjerë kryesorë me eksperiencën e tij prej më shumë se 3 dekadash, në asnjë moment nuk u bë “ndërhyrës” në interpretimin e më të rinjve, por ai arriti të ishte sa dominant me eksperiencën dhe teknikën e tij në monologje, aq komod në dialogje dhe marrëdhëniet me personazhet e tjerë.

Aktori i njohur Naun Shundi, ishte brilant në interpretimin e tij. Një burrë i mirë por i mërzitshëm (aq sa harron dhe dy herë dhuron të njëjtin libër për Irinën me emrat e nxënësve të gjimnazit) që pranon butësisht tradhëtinë e gruas së tij, erdhi aq bukur nga Shundi, i cili arriti që të mos e çonte deri në kufirin e “budallallëkut” personazhin për ndjenjën që kishte ndaj Mashës, por t’i jepte atij edhe mençurinë e një individi që vihet përballë pamundësisë dhe realitetit. Ishte aq komik por njëkohësisht tragjik momenti kur ai pasi sheh gruan e tij të puthet me kolonelin, thotë: “Lereni të qajë!”

Nuk besoj të kem parë ndonjë rol të Neritan Liçaj-t që të mos ketë qënë i realizuar ashtu siç duhet. Për mendimin tim Liçaj, është pjesë e rëndë sishme e “parisë ” se Teatrit Kombëtar (ose A-list per t’iu referuar gjuhes hollivudiane) dhe një nga më të natyrshmit në skenë dhe më modernët në mënyrën e interpretimit teatral. Edhe në rolin e tij si Baroni Nikollaj, Liçaj, arriti mjeshtërisht të sillte figurën e një djali të mirë , aspak karizmatik, të dashuruar me Irinën dhe zgjedhja “më e mirë e mundshme” por jo pasionante për motrën e vogël, e cila vendosi të martohej me të .

Përzgjedhja e regjisorit Hervin Çuli ishte perfekte për çdo rol. Lulzim Zeqja, kishte një tjetër personazh të vështirë, atë të vëllait Andrej, i ndjerë gjithmonë nën hijen e motrave dhe nën diktatin e gruas. Ai nis si një djalë me pasion për violinën dhe me ëndërr për t’u bërë profesor dhe përfundon në një nëpunës komune, i parealizuar, i verbuar nga tutela e të shoqëes, Natasha dhe i pandjeshëm ndaj çështjeve të shtëpisë apo qytetit. Lulzimi, i cili ka treguar aftësinë për t’iu përshtatur shumë roleve nga komiket deri tek dramatiket, dëshmoi edhe njëherë që është një aktor-karakteri nga më të mirët e brezit të tij. Në të njëjtin rol, interpreton gjithashtu dhe aktori i njohur Indrit Çobani.

Helidon Fino – Ashtu si roli i Ollgës, nga Anila Bisha, edhe roli i Helidonit nuk kishte shumë zhvillim në konceptin fillestar të Cehovit. Roli I kolonel Vershinin, për herë të parë është interpretuar nga babai i teatrit Stanislavski. Ai është një kolonel romantik, por që fati e njohu me gruan e tij, që sipas kolonelit tentonte të vriste veten herë pas here dhe nuk kujdesej për dy vajzat. Koloneli ishte në kërkim të dashurisë, mendonte se gjërat do të bëheshin më mirë dhe Fino arriti të përçonte si dëshpërimin e tij si i ngecur në një martesë të keqe, ashtu edhe anën optimiste dhe romantike, sidomos në marrëdhënie me të dashurën, Masha.

Aktori Gert Ferra, kishte një tjetër rol interesant dhe ndoshta ata të pamësuarit me pjesët klasike dhe vuajtjet e stërmundimshme të personazheve, jam e sigurt se do të “lidheshin” më shumë me rolin e tij të kapitenit arrogant Solljoni. Një anti-hero, Solljoni ka shpirtin e kundërshtimit, shpesh cinik dhe përbuzës ndaj ndjesive dhe mendimeve të karaktereve të tjera. “Kur një burrë filozofon, ka filozofi. Por kur një grua flet për filozofinë, për më tepër dy gra, janë vetëm bla bla bla.” Ndërhyn ai në momentin që Masha flet me të motrën, Irinën. Në pjesën më të madhe të kohës, qëndrimi i personazhit është ai i vëzhguesit. Nuk flet, thith llullën e tij dhe dëgjon, me një lloj kryeneçësie. Por, shndërrohet tërësisht kur i shpreh Irinës dashurinë. Ferra në këtë pozicion, arrin të jetë gjithmonë i dukshëm. Edhe kur i shmanget në heshtje qendrës së skenës dhe të ngjarjes, përsëri të tërheq vëmendjen prania e tij. Për më tepër, ai arrin të realizojë mjaft mirë shndërrimin nga arrogant në të përulur teksa i gjunjëzohet Irinës.

Edhe aktorët që kishin role më episodikë, erdhën me të njëjtën fuqi si aktorët kryesorë. Mehdi Malka në rolin e Ferapontit (Postieri plak që nuk dëgjonte) ishte faktor i rëndësishëm në çdramatizimin e situatave dhe Malka, me një eksperiencë të madhe mbi supe në fushën e komedisë, arriti të ngrohte sallën me dialogjet e tij që dukeshin të shkëputura nga realiteti.

Anfisa e interpretuar nga Natasha Sela, një tjetër aktore e njohur për role komike, erdhi ashtu siç i shkonte edhe marrëdhënies së saj me tre motrat. E plakur dhe e pafuqishme për të mirëmbajtur shtëpinë, ajo me interpretimin e saj, tregoi lidhjen e ngushtë dhe rëndësinë që kishte në familje. Aktorja kishte një gjuhë trupi për t’u vlerësuar dhe ishte shumë e besueshme në një rol, qe i jepte shumë vite mbi moshën e saj reale.

Genti Deçka dhe Rael Hoxha, në rolin e dy oficerëve të rinj energjikë, Alekseit dhe Vladimirit, ishin po ashtu faktorë të rëndësishëm për çtensionimin e situatave, qoftë me muzikë (duke i rënë kitarres), qoftë edhe me dëshirën e tyre për të fotografuar çdo moment ne darkat e familjes

Burimi: http://www.anabel.al/artikull/12082/10-arsye-perse-duhet-ti-takoni-keto-tre-motra/

Posted in Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *