Media

“Çehovi i përjetshëm” në Teatrin Kombëtar

“Çehovi i përjetshëm” në Teatrin Kombëtar

Nga Miho Gjini, Mjeshtër i Madh

Në mbrëmjen e ftohtë të 13 shkurtit, kryesisht me një publik rinor që prisnin në mesnatë Valentinin e shenjtë t’u buzëqeshte, munda të shohë një shfaqje të përfolur bukur si shëmbëlltyrë e lartë arti e dashurie. Është fjala për “Tri motrat” e Çehovit, që do të mbaronte vërtet afër mesnatës, pas afro katër orësh, gati pa marrë frymë, kur publiku me shpirt të ngazëllyer qe njësuar aq mrekullisht me artistët e skenës së Teatrit Kombëtar. Do ta quaja këtë një ngjarje të jashtëzakonshme, qyshkur 52 vjet më parë, pikërisht në mbrëmjen e 27 qershorit 1964, në po këtë skene u shfaq, pa ndonjë bujë të veçantë “Xhaxha Vanja” e Çehovit e realizuar prej regjisorit të sapo kthyer nga Moska, Andre Malos dhe spektatorët e pamësuar me atmosferën që sillte ky reformator i madh i dramaturgjisë botërore, ende nuk po e kuptonin sesi e bukura dhe poezia e jetës, qëndronin të fshehura në thjeshtësinë e përditshmërinë e një jete të zbrazur në dukje, por që “zien përbrenda” prej flakesh përvëlonjëse.

Po janë artistët që mund të zbulojnë dramën dhe përtej dramës, tragjizmin e pashmangshëm të një realiteti që të merr frymën në dekada e në shekuj. Dhe u dashka një artist gjenial, si Çehovi, që të zbulonte këto të vërteta rrëqethëse, që shoqërojnë jetën njerëzore. “Te njeriu, -thoshte ai, gjithçka duhet të jetë e bukur, dhe fytyra dhe veshja dhe shpirti dhe mendimet”. Po ç’mund të na mësonte vallë Mjeku rus Çehov, me këtë subjekt thuajse pa rëndësi (në dukje) të jetës provinciale të vendit të vetë të rraskapitur, kur tragjiket e dramaturgët e mëparshëm trajtonin konfliktet e mëdha e skena të përgjakshme dhune, vrasjesh e gjëmash të tjera?! Kataklizma që paraqet Çehovi është përbrenda shpirtit të njeriut, kushdo qoftë ky dhe në zbulimin e pabujshëm. Kemi të bëjmë me rrymat e nëndheshme të detrave, me thëngjijtë e ndezur e të mbuluar nga hiri, si edhe me llavën vullkanike përpara shpërthimit.

Në të njëjtën kohë ai kërkon e zbulon poezinë e shpirtit njerëzor, lirizmin e ngrohtë, dashurinë që sapo buis, që çel e shpërthen aty ku e pret a nuk e prêt… Si edhe një natyrë që përkon me njerëzit që jetojnë përreth saj, në harmoni, në paqe a në të kundërtat e veta. Pra, ky dramaturg i madh, kompleks në natyrën e tij, i thjeshtë, i vërtetë dhe i vështirë njëherësh, na shtyn dhe afron drejt së tërës, drejt se bukurës dhe asaj që është e jashtëzakonshme. Regjisori Hervin Çuli, i dashuruar me Çehovin qysh 10 vjet më parë, kur solli po në këtë skenë një version bashkëkohës të “Xhaxha Vanjës”, me një pasion të veçantë artistik, vë tani në skenë këtë dramë edhe më të vështirë, ku përveç të tri motrave të provincës, që u është “djegur shpirti” për pak dashuri njerëzore, vërtiten një tufë personazhesh që puqen e nuk puqen me njëri-tjetrin, njerëz të provincës, thuajse të degraduar e pa ideale të larta, ushtarakë të regjur nga parazitizmi, vrasës të kohës, midis njerëzish të tjerë të zhgënjyer nga jeta, që kërkojnë të dalin në shtigje e brigje lumturie, po që nuk arrijnë t’i gjejnë në atë realitet kohor e më pas bile, me një ofshaje tragjizmi që na përplaset edhe neve që i shohim ata si spektatorë.

Kemi përpara një spektakël të frymëzuar, poetik, që del në avanskene dhe zapton gati gjysmën e sallës, për t’ua sjellë në buzë spektatorëve të dëshiruar për art të vërtetë, poezinë e dhimbjen e këtyre motrave, të zhgënjyera nga jeta, që vazhdojnë të ëndërrojnë të shkojnë në Moskë e mbeten më në fund në një stol druri në kopshtin me mështekna. Ky regjisor rebel, me një emër gjerman, Hervin, është këtu më afër “shpirtit rus”, për të cilin na fliste shpesh pedagogia jonë Nina Cefranova e Institutit Teatral të Moskës (G,I.T.I.S), për ato vënie brilante në skenë të Stanislavskit e të nxënësve të tij. Si rrallë kush, nga regjisorët e rinj, ky Hervini i paqetë, arrin të japë në skenë unitetin harmonik të komponentëve të spektaklit: regjinë, skenografinë, kostumografin, muzikën, koreografinë, spektatorin dhe, mbi të gjitha këto, aktorin. Shihni, ju lutem, vetëm aktin e parë, që të mahniteni nga ai reagim i përgjithshëm e i veçantë për secilin, kur të gjithë personazhet e tavolinës së gjatë të çajit, bëhen si një trup i vetëm, në gjeste, nuhatje e prirje, me sy e vesh, ndaj një skenëze dashurie, të zhvilluar pak më përtej tyre, ku njëra nga motrat, merr puthjen e saj të pare….

Është si një prirje ndaj jetës, ndaj, poezisë, për të dalë nga monotonia e stepës, nga zbrazëtia e së përditshmes, me të njëjtët njerëz, me të njëjtat vese e boshllëqe të shpirtit. Ndihmon drejt kësaj atmosfere, si asnjëherë tjetër, skenografia e Kristo Çalës, me ato mështekna poetike të pyllit rus, ku shkëlqen e bardha dhe eleganca, me atë hapësirë që përkon me botën e brendshme që kërkojnë këta njerëz të zhytur në një provincë të humbur gjithë jetën e tyre, e ku pas mërzisë, bie flaka që djeg gjithçka e vret edhe me tepër shpirtin e tyre të gjymtuar. Ndaj edhe aktorët interpretues bëjnë një lojë të qetë, me përpjekjen për të dalë jashtë kësaj monotonie, ama kur arrijnë të dalin, nuk përmbahen dot, po i rrëmben ahengu i njerëzve të zjarrtë, muzika e balalajkave dhe tërbimi i konjakut e i vodkës së muzhikëve rus.

Elia Zaharia, poezia e shtuar e “Tri Motrave” të Çehovit

Përpos kësaj atmosfere rrëmbenjëse, që bën publikun “të rijë suss” për katër orë, me një frymëmarrje pezull, regjisori nënvizon mesazhin e qartë se, midis ëndërrimeve të këtyre njerëzve dhe realitetit, është gjithmonë një hendek i thellë, një dramë, një tragjedi e pashmangshme, nga të cilat duhet të shpëtojë publiku i djeshëm e i sotshëm. Kështu që Çehovi është e mbetet aktual, për ne e për të gjithë, për të gjitha kohërat. Ai është i madh dhe i përjetshëm. Regjisori Hervin Çuli, nuk ka vetëm meritën që mund ta shprehë me finesë mjekun rus të dramës botërore, i lakmuar nga të gjitha teatrot e botës së sotme, po arriti një shkëputje totale me atë lojë të tmerrshme (të teatrit në teatër), që zvarritet ende nëpër skenat tona, në trajtën e emfazës deklamative, kantilinës, si edhe të një natyralizmi vulgar, nga ana tjetër, apo të thjeshtëzimit të fjalës, gjoja për njëfarëlloj afërsie me jetën, me një grupim të rinj aktorësh të plejadës së re, të cilët premtojnë hapur për të ardhmen.

E dukshme në punën krijuese të këtij artisti, i cili mban mbi supe, jo lehtësisht, edhe peshën e drejtorit Artistik, është edhe plasticiteti i një masivi aktorësh, që vërtiten aty fort bukur, me një mizanskenë elegante, të kursyer, hera-herës edhe të vrullshme, në kontrapunkt me çastet e një qetësie, lirizmi e trishtimi mbytës. E pastaj vjen një mrekulli e vërtetë, futja këtu e atmosferës së jashtme, jeta që zien, ahengjet diku, dëfrimi i karnavelistëve, një zjarr i madh që djeg gjithçka, për të tronditur këtë jetë monotone, ku dashuria hynë si me pikatore e që në e ndjejmë po me atë dhimbje, kënaqësi estetike e triumf njerëzor. Gjithçka është krijuar natyrshëm, me vërtetësi, si pa u vënë re, ashtu sikundër dinte të na i servirte këtë “Mjeshtri i madh Çehov”.

Po spektaklin e “mbajnë mbi supe” aktorët që lozin këtu me plasticitet e krijojnë figura në stilin çehovian, kur pas qetësisë së detit s’vonojnë edhe dallgët e kur moti prishet menjëherë e shkrepin rrufe nga qielli i një moti të patrazuar. Olga e Flaura Kuretës, që e ka në pamje e në palcë figurën ruse, është pikërisht nga këta njerëz të zhgënjyer e gati të braktisur, që vuan shpirtërisht për humbjet e saj në jetë, të prindërve të vdekur e të një dashurie të pa takuar ende, duke ëndërruar tashmë vajtjen në Moskë; Masha e Gladiola Harizaj përjeton gjithmonë një apati e gjendje zie, kur është tërësisht e zhgënjyer prej një martese të shpifur. Pa dashuri, aq sa s’duron dot më, për të shpërthyer e dalë me përtej moralit strikt të provincës, me një neveri të dukshme edhe për bashkëshortin impotent, kur tashmë arin të gjejë një fije dashuri, për t’u dhënë e gjitha e përnjëherësh; Irina e aktores Elia Zaharia, motra më e vogël, është poezia e shtuar e kësaj shfaqjeje, është si ajo birnjozka e hollë, elegante e plotë finesë, që përjeton lulëzimin e moshës, harenë, dashurin e vërtetë, puthjen e parë të ethshme, po edhe që ndjen atmosferën mbytëse të të njëjtëve njerëz, të meskinitetit e zbrazëtisë, e destinuar edhe kjo të provojë zhgënjimin e ëndrrave të parealizuara e mbetjen në të njëjtën stol, ku do të ulet përfundimisht me të dy motrat e tjera.

Princesha Zaharia, me çehovjania e shfaqjes, është këtu pa dublantë, e vetme dhe e gjithëpushtetshme në rolin e saj të frymëzuar, me një monolog fundor të shkëlqyer në fushën e aktrimit. Dhe me radhë, do të hasim këtu figura të realizuara mirë, me korrektësi e në stilin e veprës, sikundër është baroni Nikollaj, i Neritan Licaj, elegant në pamje, i përkorë në sjellje e në veshje, i ethshëm në dashuri, që do të mbarojë tragjikisht. Aleksandri i Helidon Finos, është e mbetet një figurë ekspresive e dinamike, pasionant në dashuri e me vrulle shpirtërore. Në përputhje me kërkesat interpretuese janë edhe Andrej i Indrit Çobanit, Vasilij i Gert Ferrës, Alekseji i Genti Deçkës e Vladimiri i Rael Deçkës. Por do tç pulsojë në skenë e hareshme, e gjallë dhe shpotitëse, Natasha e Olta Gixharit dhe Anfisa e ndrydhur, e përulur dhe e papërtuar e Natasha Selës. Veçse, në shfaqjen që pamë më 13 të shkurtit, tre figura janë që do te mbahen më gjatë në mendje, krahas të tri motrave: muzhiku fukara Ferapont i Mehdi Malkës, postieri provincial, që rropatet për të marrë një firmë, duke e lakuar frazën mrekullisht, Kulygini i përulur, pa personalitet e i automatizuar i Naun Shundit dhe, mbi të tjerët, Çebutykini i Bujar Asqeriur, doktori në pension i ushtrisë ruse, njeriu i zhurmshëm i provincës, pijetari i regjur, “antena e gjithçkaje”, të cilin Asqeriu e “qan “ si figurë e si model të Ivanit Rus, me potencën aktoreske dhe saktësinë e një aktori të talentuar, në pjekjen e vetë përfundimtare të shprehjes artistike, me atë zë si shpellë që arrin deri në fundin e sallës dhe kur rri e dremit e dërdëllit në poltronin e vetë…

Këtu e vlejmë të hapim një parantezë, si kërkesë a si vrenjtje të vetme ndaj këtyre aktorëve në përgjithësi, të cilët të mësuar gjithherë në provat e gjata në studio, jo pak herë, më shumë i flasin vetes se sa publikut, i cili duhet të tendosë mirë veshët për t’u kapur fjalët, nganjëherë, pa nerv, pa puls, me një diafragmë të fjetur, nënton! Ndofta, për të interpretuar atmosferën e apatisë që i vendos regjisori personazhet në trishtimin e pikëllimin e tyre kozmik, mbeten më shumë përbrenda aktrimit të Teatrit të Dhomës sesa të një Teatri më të gjerë e më të hapët, sikundër është Teatri Kombëtar, edhe pse regjisori ua sjell personazhet përpara hundës këtyre spektatorëve që e kanë blerë biletën gati një muaj më përpara shfaqjes në fjalë! Po mase veshët e mi në fundin e sallës, e kanë pasur këtë përshtypje të gabuar e jo aktorët, përgjithësisht në këtë dehje suksesi të merituar të gjithkujt.

Gjithsesi jemi përpara një vepre skenike që e nderon Teatrin tonë Kombëtar dhe që duhet t’i mbetet repertorit aktiv. Ideja e një liste të planifikuar që zë krejt murin e brendshmen të fuajës së teatrit, ku planifikohet jeta e kufizuar e shfaqjes, si lindje e vdekje e saj, është gjeja më absurde…” Po nuk erdhe brenda javës tjetër të shohësh edhe dublantët,-më tha një person aty, që ishte i mirësjellur e mua m’u dukë si përgjegjës i sallës, kjo shfaqje nuk jepet më, “Do nisë të jepet shfaqja tjetër!… Mbeta i shtangur: A mund të mbyllet e të vdesë një shfaqje e tillë?!

Burimi: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=391320

Posted in Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *