Media

ÇEHOVI ME “TRE MOTRAT”… FRYMA MBETET PEZULL!

ÇEHOVI ME “TRE MOTRAT”… FRYMA MBETET PEZULL!

Nga Përparim Kabo
Natë befasuese në Teatrin Kombëtar! Në skenë për herë të parë “Tre motrat” e Çehovit, pjesa e plotë integrale që zgjati rreth katër orë. Në shijen time dhe në gjykimin tim, kur po i afrohem rreth 50 vite spektator i teatrit brenda dhe jashtë vendit, shfaqja qe një frymë çehoviane e mirëfilltë, me shpirtin rus në ndjenjat njerëzore, në sjellje dhe në ritual, në veshje dhe në veprime, në realitet dhe në ëndrra, në ndjenja dhe në krenari, në mburrje dhe në dëshpërim. Një kontrapunkt i fuqishëm mes provincës dhe idealit për të shkuar në metropol, atje në Moskë, që sendërtohej në jetën monotone dhe dëshirën për të ikur nga ai realitet, në pasionet e mëdha të dikurshme dhe bjerrjen e jetës deri në një humbje dëshire dhe dashurie për të. Siç edhe shprehet njëri nga personazhet, mjeku (shpesh në veprat e tij Çehovi ndërton një personazh mjek ku fshihet ai vetë, sepse nga profesioni ishte mjek), “…ne nuk ekzistojmë, neve na duket sikur ekzistojmë ose bëjmë sikur ekzistojmë”, dhe e gjitha kjo se kishin humbur motivet e jetës dhe sundonte pushteti i monotonisë, vrasjes së kohës dhe demotivimit të njeriut… Çehovi vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, krejt i natyrshëm në një rrëfenjë të “Tre Motrave”, duke na shtruar një pyetje jetësore, se “kush jemi dhe çfarë bëjmë ne?”. Dhe, “si do të jetë njerëzimi në të ardhmen, pas 100 apo 200 vjetëve?”. Të gjithë në fund nisen për diku tjetër, sepse nëse gjithçka mbetet ashtu e vagullt dhe e pandryshuar, njeriu dënohet me humbjen e kuptimit të jetës… Drama sillet me një ndjeshmëri shumë të lartë. Penduli i saj ishte… “njerëzit kishin humbur dashurinë ose rrugën drejt saj, apo më keq, si edhe kishte ndodhur me njërën nga motrat, me vëllanë e saj dhe me një nga ushtarakët… që kishin ndërtuar një dashuri të gabuar, iluzive dhe zhgënjyese.”
Bota e provincës është gati e përhumbur. Njerëzit gdhiheshin dhe ngryseshin nën peshën e monotonisë, ku të tjera gjëra shihnin, të tjera gjëra mendonin, të tjera gjëra bënin tinëz dhe të tjera gjëra thoshin… Pamë Çehovin të duartrokitej në mënyrë frenetike pas katër orësh spektakël… Ashtu si me “Xhaxha Vanjën”, pothuaj diçka si 10 vite më parë, regjisori Ervin Çuli edhe ajrin e kishte sjellë çehovian. Një zë i fshehur të shoqëron tek thotë fjalë të thjeshta, por shumë kuptimplote, është shpirti i autorit. Regjisori ishte kujdesur edhe për këtë detaj. Një gjetje që të drithëronte tek thoshte: “I njëjti ambient, pothuaj e njëjta shtëpi, pothuaj të njëjtit njerëz”. Katër akte dhe fryma pezull. E gjitha kjo mund të të “vrasë” me monotoninë e personazheve, të jetës së tyre, të njëtrajtshmërisë dhe mbetjes po aty, tek koha ikën dhe ata ishin si të ngurtë. Porse këtu duket forca e regjisorit. Të vësh në skenë Çehovin duhet jo vetëm kurajë dhe ekzigjenca profesionale. Lypset të kesh qasje kah filozofisë, sepse ky autor mes fjalëve të thjeshta, dialogëve të çiltër dhe monologëve deduktivë, merr në “gjyqin e arsyes” njeriun, shoqërinë, epokat dhe vetë njerëzimin. Pas çdo ngjarjeje në gojët e personazheve dëgjohej si kambana e shpirtit pyetja pezull: “Si do jetë shoqëria pas 100 vitesh”? Do doja t’i jepja një përgjigje të butë, aspak me thepa Çehovit të madh. Pas 100 vjetësh bota ka ndryshuar shumë, për mirë dhe për keq. Veçse një gjë nuk ka ndryshuar: bota ka ende nevojë për Ju, i nderuar shkrimtar, për idetë tuaja, sepse kotësia, hipokrizia, monotonia, vrasja e kohës, sedra e sëmurë dhe, mbi të gjitha, dështimi i dashurisë janë tej mase prezente. Ai teatër që e kupton këtë është institucion avangard, ndërsa ai regjisor që e vë në skenë ka nuhatje dhe vizion. Aktorët që e vënë në skenë janë artistë të vërtetë. Çehovi është i thjeshti i vështirë, është i thelli që kumton me ligjërim normal gati-gati asket. Fjala e tij peshon mendim, ndjenja përshpirtje. Kjo ishte kuptuar dhe plazmuar artistikisht me një shtrirje dhe tektonizëm gati genuin. Regjisori Ervin Çuli, me shumë finesë ka sjell shpirtin filozofik të “Tri motrave”, duke e vlerësuar tejet bukur në dy aspekte: në theksimin e fjalës në çdo grimë dhe në kadencat protestuese meditative. Ndryshe nga pjesët e tjera çehoviane, në këtë dramë ka më pak prani të Zotit, liturgjisë dhe mëshirës fetare. Dhe ka më shumë përgjegjësi civile e humane, sepse flitet për arsimin dhe ushtrinë. Ka një parim filozofik që nga Antikiteti, “marrja e përgjegjësisë.” Çehovi “këlthet” butësisht për këtë detyrim pa bërtitur, ngre zërin e vetëpërgjegjësisë, por pa deklamacion. Një sjellje e tillë dramatike rrjedh përmes një pulsi gati zero, si një lumë i gjerë që shtrihet dhe duket sikur nuk lëviz dhe në të njëjtën kohë brenda ujërave të tij ka digresione të fuqishme.
Regjia këtë tipar e kishte realizuar mrekullisht. Nga filozofia e fjalës çehoviane, e meditimit dhe dhimbjes, tek filozofia e lojës e komunikimit dhe e përjetimit personal dhe korral njerëzor. Dukej gjithçka si një meshë civile për detyrimin ndaj jetës. Vepra është e njësuar në formë dhe diverse në identifikimin e personazheve. Në njërën anë tri motra dhe në anën tjetër tre ushtarakë. Në të dyja anët, njerëz që jetojnë dhe nuk janë të kënaqur, dëfrejnë dhe nuk gëzohen, duan të dashurojnë dhe nuk munden ta takojnë dashurinë e vërtetë. Nëse janë tri motra si personalitet njerëzor, duken si njësoj, e njëjta familje, e njëjta edukatë, e njëjta traditë, e njëjta filozofi. Por dallimi bëhet përmes ndjenjës më universale: DASHURISË.
Motra e madhe Ollga, një mësuese e qytezës në provincë, në një familje ku nëna ka vdekur dhe babai jo më shumë se para një viti kishte ndërruar jetë, luan edhe rolin e nënës, veçse ajo ka një fatkeqësi: ende nuk e kishte takuar dashurinë. Pra “motra dashuripatakuar”. Ky dyzim dramatik është mishëruar mrekullisht nga aktorja Anila Bisha, ndoshta në rolin e saj më të mirë në skenë. Motra e dytë ishte dashuruar marrëzisht pas ish-mësuesit të saj, që i ishte dukur si gjeni, porse ai ishte vetëm një mediokër, një njeri pa dinjitet, pa shtyllë kurrizore, që “i linte mustaqet kur i linte dhe drejtori i tij dhe i rruante kur shefi e bënte atë gjë”. Kjo mund të quhet “motra dashurihumbur”. Ajo guxon të thyejë tabutë. Tradhtoi jo bashkëshortin, porse përmbysi paqen e rreme me rregullat që e fishkin njeriun. Kreshendot e saj janë pikat kulmore të atij realiteti. Aktorja Gladiola Arizaj ishte një Masha e vërtetë, magjike në ulje-ngritjet, me një diapazon ndjenjash që zotërohen dhe shpërfaqin përjetime që duken se përjetohen për herë të parë si në një ngjarje që po ndodh rishtazi. Më ka befasuar kjo aktore mrekullisht! Motra e vogël, që ishte vetëm 20 vjeçe kur nis rrëfenja e autorit, paraqet një buzëqeshje të pastër, një rrëkezë të bardhë, një dritë që po ngrihej, porse edhe një personalitet që nuk epet. Ajo nuk e gjen dot dashurinë, ndaj mund të quhet “motra që pret dashurinë”, por që edhe asaj nuk i vjen. Kjo quhet Irina dhe interpretohet nga Elia Zaharia, që mbërrin kulminacionin e saj interpretativ me këtë rol. Gjendjet emocionale dhe tallazimet kanë një shkallëzim ku jo thjesht fjalët, porse gjendjet shpirtërore të bashkëshoqëruara me intonacionet e zërit, me sjelljet dhe dëshpërimet, ndërtojnë një tip artistik e njerëzor tipik çehovian.
Të tria motrat interpretojnë jashtëzakonisht mirë, si trio, edhe veç e veç. E tërë diagrama njerëzore e tyre vjen në një ndjeshmëri të thellë e të shprehur me një tejdukshmëri interpretative. Nuk është aksioni skenik që sjell gjendjen, është gjendja si përjetim që identifikohet me atë veprimin e butë të avashtë dhe monoton. Kjo është gjuha çehoviane dhe ajo ishte ngjizur aq natyrshëm te të tria motrat, të cilat më hoqën edhe një brengë dyshimi. Kisha menduar se me ikjen e plejadës së aktoreve të shquara, Logoreci, Manushi, Pelinku, Xhepa, Luarasi, Anagnosti etj., etj., teatri do të ishte në hall, sepse vetëm me një Yllka Mujo nuk mund të mbahet. Rezulton ndryshe! Një brezi i ri po formohet. Provat çehoviane janë sa një universitet arti. Të mos harrojmë se me Çehovin hapen sezonet në teatrot e mëdha të botës.
Treshja tjetër, ajo e ushtarakëve, kishte një qasje ndryshe ndaj dashurisë, por në korrelacion me motrat si tipologji. Oficeri i moshuar, doktor nga profesioni, që interpretohet mrekullisht nga Bujar Asqeriu, nuk kishte mundur ta takonte dashurinë. Kishte dashuruar nënën e motrave, porse kjo kishte qenë një dashuri në imagjinatë, e pakonsumuar ose tejet e fshehtë, që nuk mund të provohej se kishte ndodhur. Oficeri që vjen në qytet dhe që kishte një martesë të humbur nga dashuria e munguar, njësoj si motra e mesme, shpërfaqte tipin e njeriut që e vuan këtë humbje dhe ndaj nuk ndalet të provojë. Ja përse autori e prish rregullin, i ndërkall raportet e tyre, duke krijuar dramacitetin e dashurisë së vërtetë dhe të ndaluar, por jo edhe të pamundur. Kjo linjë dramatike luhet mrekullisht nga të dy aktorët. Helidon Fino sjell një karakter të gjallë, shumë të natyrshëm dhe bindës. Një ndjenjë sublime, kurajë dhe sfidim. Për ato puthje të zjarrta ata mund të digjnin të gjitha normat dhe tabutë. Loja e tyre në skenë ishte pasionante dhe shumë bindëse, aq sa të dukej se po ndodhte për herë të parë. Ndërsa ushtaraku i tretë, ose Baroni, interpretuar me mjaft elegancë nga Neritan Liço, ndërton tipin e njeriut të brishtë që dashuron me një shpirtbardhësi të pamatë, porse në fund tregon se bën atë që nuk mund të imagjinohet, shkon drejt vdekjes, sepse nuk do thjesht një martesë të sforcuar, për mëshirë apo si rutinë se njerëzit thjesht duhet të bëjnë ritualin, paçka se dashuria që plazmon gjithçka është apo jo e pranishme.
Loja aktoriale e të gjithë ansamblit është e një niveli shumë të lartë. Të fut në botën ruse dhe të mban atje mbërthyer, ashtu butësisht dhe në ato thellësi që s’i ke menduar se je duke u futur. Ka një duo njerëzore që sillet me shumë art dhe lojë nga dy aktorët. Është niveli më i lartë civil, vëllai i motrave, interpretuar jashtëzakonisht bukur nga Lulzim Zeqja, i cili kishte një kulturë të gjerë dhe që punonte në administratë, dhe një punonjësi të ulët, postierit të administratës, që interpretohet në një lojë brilante nga Mehdi Malkaj e që më kujtoi Mihal Stefën e madh, i cili me rolet e vogla krijoi artistin e shquar të skenës. Ky është relievi njerëzor rus, që mjegullohet dhe beson mes dëshpërimit dhe pritjes. Pjesa “Tre Motrat” ka një veçori në arkitekturën e saj. Pothuaj të gjitha personazhet, me një kujdes dramatik dhe në një vijimësi logjike vihen të nxjerrin përfundime përmes monologëve. Ndoshta është një pjesë që ka tepri monologësh, herë të hapur që dëgjohen nga të tjerët dhe herë të fshehur nga personazhet e tjerë, por hapur për spektatorin. Një ndërtim i tillë i veprimit skenik e ndihmon spektatorin që pas çdo tabloje të bëjë një përmbledhje dhe të fiksojë se ku po shkon individi, ku ndodhet ngjarja, ku rend shoqëria, ku baret mendja, ku frymëzohet sjellja dhe pse ndodh veprimi skenik. Do të veçoja tre monologë të realizuar në mënyrë të përkryer. Monologun e mjekut pasi digjet një pjesë e qytetit, interpretuar nga Bujar Asqeriu. Ndoshta monologu më i mirë i tij në karrierë. Një digresion i brendshëm me dy skaje, vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore, duke ia thënë vetes hapur të dyja ato në një oshilim nga qeshja, skërmitja, ngërdheshja, deri te vaji dhe dëshpërimi. Monologu i motrës së vogël, ku dashuria e munguar vjen si një raport hapësire mes provincës dhe Moskës së dëshiruar, dhe që kalon nga dëshpërimi në ngashërim, me shpërthime gati-gati të një zhytjeje drejt histerisë. Ky ekuacion e shkallëzim gjendjesh shpirtërore, ishte kulmi interpretativ i Elia Zaharias. Dhe monologu i vëllait të motrave që ka vetëm një kahje: së paku një herë në jetë thuaje hapur të vërtetën, për veten, për bashkëshorten, për grarinë e qytetit, për kurvërinë, për heshtjen, për gënjeshtrën, për hipokrizinë, së paku thuaje një herë ta dëgjojnë spektatorët! Këto kadenca të fjalës dhe të ndjenjës e sollën performimin në një komunikim që nuk kishte të sosur dhe dukej se ishim jo në një shfaqje teatri që duhej të mbaronte, porse në një nokturn çehovian, si në një lloj boleroje muzikore që sjell dhe risjell të njëjtat motive; por që në çdo prurje e shtjellë, ngrihen tonet e protestimit me një zë që do të shkojë drejt imenses. “Tre Motrat” e Çehovit ta mbajnë frymën pezull dhe të bëjnë të mendosh gjatë në një urtësi që të shkund edhe pa lëvizur, sepse dallgët janë vetëm brenda njeriut; deti jashtë fryhet dhe shkon nga batica në zbaticë falë tyre. Njeriu, ky është ekuacioni aksiomatik çehovian. Dashuria, kjo ndjenjë është shpirti i jetës. Puna të sjell dinjitetin… ndaj bota zbrazet pa Çehovin!

Burimi: http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/cehovi-me-tre-motrat-fryma-mbetet-pezull/

Posted in Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *