Vrasja e Maratit

Shënimi i regjisorit
Marati ishte figura më gjakatare e revolucionit francez , por dhe një orator i shkëlqyer, mbrojtës i flaktë i interesave të vegjëlisë, “ Miku i Popullit” siç e quante ai veten. Përballë tij autori vendos Sadin , gjithsesi një përkrahës dhe mbështetës i Revolucionit, por dyshues mbi gjithçka që solli Revolucioni apo mënyrën se si erdhi kjo përmbysje radikale.Nga njëra anë individualizmi ekstrem dhe nga ana tjetër idealizmi utopik, përplasja e këtyre dy botëve është mekanizmi që vë në lëvizje magjinë teatrale të Weiss-it.
Ardian Klosi
Zhan Pol Marati është tribun i vegjëlisë ( për shumë të tjerë përbindës gjakatar) , kurse markezi dë Sad personifikim i hedonizmit dhe individualizmit ekstrem.Këta dy personazhe historike vë përballë drama e Peter Weissit .Skena e ngjarjeve është Revulucioni Frëng , në ditët e Korrikut 1793, kur vajza e re Sharlotë Kordei përgatit vrasjen e Maratit.Teatri ku inskenohen këto ngjarje në vitin 1808, pra në kohën e Napoleonit, është çmendina Sharënton , ku markezi dë Sad mbahet i mbyllur për shkak të skandaleve të tij publike dhe ku (fakt i njohur historikisht) vë në skenë me të sëmurët psiqikë pjesë të ndryshme teatrore për dëfrimin e shoqërise së lartë të Parisit. Pra , një teatër brenda teatrit. Kurse diskutimi i vërtetë i shkrimtarit gjerman shkon përtej vitit 1793 ose 1808, për të ardhur në epokën tonë, si një debat mjeshtërorë mbi dhunën “revolucionare” dhe idealin socialist , mbi aftësinë ose paaftësinë e njeriut për të ngritur struktura të drejta dhe të qëndrueshme shoqërore.Vetem në dhjetëvjeçarin e parë pas premierës së Berlinit më 29 Prill 1964 “Marat/ Sad” njohu mbi njëqind inskenime në teatrot e mëdha të botës.Në Amerikë u nderua me “ Tony Award”, çmimin më të lartë për teatrin dhe muzikal –in .Një vepër e jashtëzakonshme që pret të hyjë edhe në teatrin shqiptar.
“Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit paraqitur nga trupa e aktorëve të azilit Sharënton nën drejtimin e zotit dë Sad”.
Ky është titulli i plotë i dramës së shkrimtarit gjerman Peter Weiss, e cila ka hyrë në historinë më të re të teatrit si “ Marat / Sad “ , me emrat e dy protagonistëve të saj. Një pjesë brilante, një analizë e hollë filozofike e Revolucionit Frëng, me diskutime që vijnë aktuale edhe në ditët tona.

Me aktorët: Viktor Zhusti, Hervin Çuli , Luli Bitri, Helidon Fino, Indrit Çobani, Gladiola Harizaj, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Erand Soili, Ekzona Ademi, Mateus Frroku, Flaura Kureta, Mehdi Malkaj, Lulzim Zeqja, Niada Saliasi, Gert Ferra, Genti Deçka, Flori Veizi, Florind Belliu, Dasara Xhangolli, Orsi Vangjeli, Deljana Topulli.
Regjia: Arben Kumbaro
Skenograf: Genc Shkodrani
Kostumografe: Berina Kokona
Kompozitor: Richard Peaslee
As/regjisor : Anjeza Përmeti dhe Mario Deda
Drejtues muzikor dhe piano : Mario Deda
Muzikant, bateri, perkursion: Gridi Kraja
Muzikant, trombe : Regis Loja
Muzikant, bas : Angjelin Toma

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *