Media

“Tri Motrat” shfaqja që i kishte munguar Teatrit Kombëtar

“Tri Motrat” shfaqja që i kishte munguar Teatrit Kombëtar

Irina nuk di ende asgjë për jetën. Ajo është e mbushur plot ëndrra të bardha, si fustani i saj për ditën e emrit. Por Olga e di se ç’është vetmia dhe shpresa e gjatë, Masha për ftohtësinë që ndien në shpirt, Andreji për ëndrrat që kurrë nuk bëhen realitet…

Por në familjen Prozorov të gjithë i bashkon shpresa se një ditë do të shkojnë në Moskë… ndoshta në vjeshtë, ndoshta në qershor, ndoshta… kurrë. Ngjitja në skenë e “Tri motrave” të Çehovit është pa dyshim ngjarja më e madhe artistike e këtij fillimviti të ftohtë.

Teatri Kombëtar e serviri si ngjarjen e shumëpritur, madje edhe kartolina e Vitit të Ri ishte një fotografi nga provat e shfaqjes. Fatmirësisht “Tri motrat” është një vepër që i kalon edhe pritshmëritë.

 

Një shfaqje 3 orë e gjysmë, me një pushim prej 15 minutash mes katër akteve, por që nuk të lodh dhe të mban lidhur, edhe pse nuk është një vepër që karakterizohet nga aksioni apo të papriturat, nga situatat e humorit apo batutat e forta.

Ajo është një dramë, ngjarjet e së cilës shtrihen në ndoshta 6 vjet dhe gjatë kësaj kohe, shtëpia e Prozorovëve, në një provincë të humbur të Rusisë, frekuentohet nga të njëjtët njerëz.

Të gjithë ndryshojnë bashkë me kohën, e cila vyshk edhe ëndrrën për t’u kthyer në vendlindje, në Moskën e kulturës. “Tri motrat” është pa dyshim një vepër shumë e bukur, qoftë edhe vetëm në letër, por një tekst i bukur nuk do të ishte thjesht i mjaftueshëm për një shfaqje teatri.

Ajo çka e mban lidhur spektatorin në karrige për 3 orë e gjysmë është serioziteti dhe kurimi në çdo detaj i veprës. Regjisori Hervin Çuli është kujdesur ta qepë mirë dhe pastër shfaqjen. Gjithçka është e organizuar, asnjë aktor nuk rri kot në skenë. Ka kryqëzime veprimesh, shikimesh.

Në të njëjtën kohë Irina flet me baronin, Saljoniji i ndjek për së largu me sy të rreptë, Masha çuçurit me Vershininin, ndërsa Çibutkini filozofon për jetën, ose fundja dhe për pijen… I jepet rëndësi çdo fraze, çdo fjale, çdo veprimi, që nga një lëvizje në dukej e parëndësishme tek puthjet pasionante mes Mashës dhe Vershininit apo dy ushtarakëve, baronit me Saljonijin, ç’ka tërhoqi dhe vëmendjen e publikut.

Skenografia e Kristo Çalës, e zbritur në sallë, i lejon publikut të hyjë në shtëpinë e Prozorovëve e të ndjekë nga afër çdo lëvizje dhe çdo grimasë në fytyrën e personazheve. Kostumografia e Berina Kokonës, jo vetëm i përshtatet kohës së ngjarjeve, vendit, por ato plotësojnë dhe shpërfaqin karakteret e tyre.

Kostumet e tri motrave ndërrojnë nga akti në akt, duke rrëfyer edhe gjendjen e tyre shpirtërore. Kokona luan me ngjyrat, duke ndryshuar nuancat, por edhe prerjet sipas stinëve të jetës së tyre. Muzika po ashtu është e zgjedhur me kujdes.

Muzika tipike ruse, ajo bizantine dhe interpretimi live në kitarë nga dy aktorët Genti Deçka dhe Rael Hoxha në rolet e lejtënantëve Fedotik dhe Rode, përforcojnë momentet e gëzimit dhe trishtimit në vepër.

Ndihet puna e koreografes Kozeta Bakiu, jo vetëm në ato të pakta momente koreografike të veprës, por edhe në lëvizjen e aktorëve në skenë, deri në fund, në përshëndetjen e tyre për publikun. E ky i fundit arrin t’i ndiejë të gjitha. Dhe duartrokitjet e gjata ishin treguesi.

AKTORËT

“Tri motrat” nuk do të ishte ajo pa interpretimin e aktorëve, që nga ata kryesorët, tek aktorët e roleve të vogla, të cilët krijojnë një galeri të pasur karakteresh. Secili prej tyre bart dramat e veta, përtej dukjes, çka i bën të afërt me publikun.

Mbrëmjen e premierës, të shtunën, publiku u njoh me: Olga Sergejevna-Olia, motra e madhe (Anila Bisha), është një 28-vjeçare e pamartuar. Vetmia dhe puna e lodhshme si mësuese nuk e ka ngurtësuar. Ajo është parimore, por edhe e dhembshur. Kur e kur ka edhe ajo ato shpërthimet e veta, që gjithsesi përpiqet t’i mbajë nën kontroll, pa i rënduar kujt. Anila Bisha i mëshon mirësisë së personazhit.

Maria Sergejevna-Masha, interpretuar nga Ola Harizaj, është një femër e hijshme, por e trishtuar. E martuar qysh 18 vjeçe, gjithnjë e veshur me të zeza, ajo tashmë e shikon martesën e saj si një barrë. Nuk e do të shoqin, madje herë-herë edhe e neverit e tashmë nuk e fsheh dot më. Harizaj, më shumë se përmes shpërthimeve të saj, flet me portret.

Dhimbje, mërzi, gëzim… janë ndjesi që ajo i përcjell më së miri, qoftë edhe vetëm përmes mimikës. Ajo arrin të krijojë një personazh të besueshëm, edhe në skenën e gati çmendurisë së saj pas largimit të kolonel Vershininit nga qyteti, pas të cilit ajo do të dashurohet.

E jashtëzakonshme Elia Zaharia në rolin e Irina Sergejevnës. Ajo është vetëm 20 vjeçe. Fustani i saj është ende i bardhë (ngjyrë qumështi), sepse ende nuk e di se ç’është jeta. Nuk ka dashuruar kurrë, nuk ka punuar kurrë dhe ëndërron Moskën.

Një ëndërr që i shuhet nga akti në akt, bashkë me shpresën se një ditë do të gjejë dashurinë e madhe të jetës. Nga e bardhë, ngjyra e fustanit të saj bëhet bezhë, pastaj kafe, pastaj lejla, e njëjtë me atë të së motrës, Olgës. I njëjti fat…

Zaharia interpreton si të kishte jetuar në lëkurën e Irinës. Karakteri i saj është gjithnjë në zhvillim. Nga gëzimi gati fëmijëror në aktin e parë, ku ajo i gëzohet gjithçkaje, kalon në mërzi, pastaj në padurim, deri në shpërthime histerike. Loja e saj të mbërthen aq sa publiku bëhet njësh me vuajtjen e saj.

Dëshpërimi i saj dhe i Mashës e përlot spektatorin. Lulzim Zeqja është në një nga rolet e tij më të mira si Andreji Sergejeviç. Ndryshe nga i ati, ka zgjedhur rrugën e shkencës dhe artit, në vend të uniformës së ushtarakut.

Ka ëndrra të mëdha të bëhet profesor, por nën shtypjen e provincës dhe një gruaje vulgare, ai kthehet në një burrë të lodhur, brinar, kumarxhi, plot borxhe, pa shpresa dhe që rrit fëmijët që s’janë të tijtë. Ina Gjonçi në rolin e Natashës është kripa e shfaqjes.

Ajo është një grua e pakulturë, me shije të keqe, oportuniste, që përfiton nga dashuria e të shoqit, për t’u bërë zonjë shtëpie, e më pas për ta tradhtuar me kryetarin e bashkisë. Gjonçi krijon gjithashtu një karakter në zhvillim, me kulminacionet e veta, aspak të shtirur, që me gjithë negativitetin e vet, gjithsesi, të bën ta pëlqesh.

Helidon Fino si kolonel Vershinini, Neritan Liçaj si baroni Tuzenbah, Genti Ferra si Soljonij, Bujar Asqeriu si doktor Çibutkini formojnë “skuadrën” e ushtarakëve që hyjnë e dalin në shtëpinë e Prozorovëve. Janë ata që thyejnë monotoninë e jetës së tri motrave. Karaktere të ndryshme, kush filozof, kush sanguin, një tjetër i zhgënjyer…

Në një mënyrë apo në një tjetër ata mishërojnë filozofinë e shekullit të ri, e shekullit XX, mbi ekzistencën, asgjënë, boshin, dëshirën për punë, për të ardhmen me siguri më të mirë… Të ngjall dhembshuri karakteri i Kuliginit, interpretuar nga Naun Shundi, bashkëshorti i Mashës, që i bën terapi vetes se është i lumtur, edhe pse e di se gruaja e tradhton.

E po ashtu edhe dadoja Amfisë (Natasha Sela) apo portieri Ferapont (Mehdi Malkaj). Sigurisht do të kërkohej më shumë karakter te një personazh, më pak impostim zëri te një tjetër, një zbërthim më të thellë të një personazhi tjetër, por në të përgjithshmen e vet, kasti i aktorëve të zgjedhur nga regjisori formojnë një trupë solide, e cila të bën, jo thjesht ta ndjekësh deri në fund shfaqjen, por ta pëlqesh atë.

Pse jo, ta shohësh sërish edhe nën interpretimin e dublantëve, që me siguri u shtojnë të tjera ngjyrime karaktereve. Në rolin e Olias interpreton Flaura Kureta, të Andrejit Indrit Çobani, ndërsa të Natashës Olta Gixhari.

“Tri motrat” është pa dyshim shfaqja që i ka munguar prej kohësh Teatrit Kombëtar, tej banalitetit, komedive për t’u argëtuar, shfaqjeve me mesazhe të sforcuara, që mezi shtyhen pavarësisht se mund të zgjasin vetëm një orë e gjysmë.

“Tri motrat” kthen traditën e shumë dekadave më parë, kur në Teatrin e atëhershëm Popullor ngjiteshin vepra të mëdha, të gjata, me aktorë të mëdhenj, prej nga dilje i mbushur e mund të diskutoje për orë të tëra mbi atë çka vepra kishte lënë në shpirtin e secilit.

ALMA MILE

Burimi:http://www.panorama.com.al/tri-motrat-shfaqja-qe-i-kishte-munguar-teatrit-kombetar/

Posted in Media

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *