Biografi
Donald Shehu u diplomua në Universitetin e Arteve në vitin 2016, në ciklin Bachelor dhe në vitin 2018 mbylli ciklin ‘Master’, në degën regji teatri. Ai ka interpretuar që në vitet e para të shkollimit në Teatrin Eksperimental si një aktor i jashtëm në shfaqjen “Arturo Ui”, me regji të Kiço Londos. Më pas, ka vazhduar po në këtë teatër me shfaqje të tjera për femijë si: “Të çmendurit Adams”, “Minions”, “Gjetja e festës së humbur”, “Gjigandi i madh i mirë”, “Aventurat e Olafit”, “Motër dhe Vëlla”. Eksperienca të tjera teatrore kanë vazhduar dhe në Teatrin e Metropolit me shfaqje të suksesshme si: “39 hapat” të regjisorit Qëndrim Rijani. Përsëri në këtë teatër, ai interpreton në shfaqjet: “100 fustanet”, “Mbesa e Krahinarit”, “Armiqtë”. Karriera e tij teatrore ka vazhduar në një bashkëpunim me Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durres, në shfaqjen “Komedia që shkon për dreq” me regjisore Driada Dervishin. Gjithashtu, ai ka interpretuar edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë me shfaqjen “Ariu”, si edhe jashtë vendit, ku mund të përmendim Tuzin e Malit te Zi. Për herë të parë në Teatrin Kombetar të Shqiperisë ka marrë pjesë ne produksionin e këtij teatri“Engjëjt e Amerikës”, me regji të Arben Kumbaros. Do të vazhdojë sërish aktivizimi i tij në këtë teater me një projekt të jashtëm, muzikalin “Annie” me regji të Adelina Muçës. Kjo shfaqje pasohet nga nje tjetër produksion i Teatrit Kombetar, shfaqja “Xhelatët” me regji të Qëndrim Rijanit. Donald Shehu është bërë pjesë e trupës artistike të Teatrit Kombëtar në marsi të vitit 2020. Ai numëron një çmim të marrë në vitin 2017 në festivalin ‘Koko Fest’ si aktori i ri më i mirë, i prezantuar me shfaqjen “39 hapat” të regjisorit Qëndrim Rijani.