Rreth Teatrit Kombëtar

Teatri Kombëtar është inaguruar si i pari teatër profesionist shqiptar në 17 majin e vitit 1945. Nën regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi”, e cila u quajt si “shfaqja themeluese e Teatrit Kombëtar”. Për herë të parë në Shqipëri, për teatër është folur në periudhën e Rilindjes Kombëtare, në fund të shekullit të XIX-të. E para shfaqje e dokumentuar nga burimet arkivore është “Dasma e Lunxhërisë” e Koto Hoxhit, vënë në skenë në vitin 1874 nga djemtë e shkollës normale të Lunxhërisë. Ndërsa drama e parë e mirëfilltë është “Besa” e Sami Frashërit më 1875, e cila ndonëse u shkrua në turqisht, kishte tematikë shqiptare. Në vitet ‘20 dhe ‘30, me shpalljen e Tiranës si kryeqytet, Teatri mori një status më institucional.

Dramaturgjia e atëhershme, krahas motivit patriotik, vjen e bëhet me realiste dhe interesohet dhe për dukuritë sociale. Fillimi i viteve ‘40 është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës të Teatrit Profesionist të Shtetit dhe Shkollës së Dramaturgjisë. Mes viteve 1945-1956, shteti shqiptar u përpoq ta orientonte TK, së paku në tri drejtime: sigurimin e një repertori me drama të “realizmit socialist” me autorë të vendeve të lindjes. Përpos repertorit me ndikim politik, spikasin premierat nga dramaturgjia botërore: “Revizori” nga Gogol , “Othello” nga Shekspir, “Shërbëtori i dy zotërinjve” nga K. Goldon. Në vitet 1956 deri 1965, flitet për një teatër vërtet profesionist, ku radhët e të cilit u shtuan me skenografë, regjisorë dhe aktorë të kualifikuar. Por do veçojmë edhe se në repertorin e kësaj periudhe spikasin vepra madhore nga dramaturgjia botërore si: “Intrigë dhe Dashuri” nga Shiler, “Hamleti” dhe “Mbreti Lir” nga Shekspir, “Borgjezi Fisnik” nga Molier, “Xhaxha Vanja” nga A. Çehov. Vitet ‘65-’72 dallohen nga trajtimi i dramaturgjisë kombëtare si element kryesor në repertor dhe kufizimi gradual i veprave të shquara nga dramaturgjia botërore. Vitet 1972 deri 1985 dallohen për nga politizimi i tejskajshëm i repertorit të Teatrit Kombëtar, ndëshkimin dhe largimin nga skena të disa prej regjisorëve, dramaturgëve dhe aktorëve si modernistë, si dhe pakësimin e repertorit dhe të premierave. Vitet 1985 deri 1992 janë vitet e fundit të diktaturës, deri më 1990 kur përmbyset ajo dhe kemi fillimet e lirisë, nga ku vihen re: një prani më e gjerë e repertorit të huaj; guximi për të prekur tema tabu’ eksperimentet e para dhe shija e paprovuar e autorëve të ndaluar.

Mund të veçojmë disa premiera: “Vdekja e një komisioneri” nga A.Miler; “Romeo dhe Zhulieta”, “Rikardi i tretë” dhe “Zbutja e kryeneçes” nga Shekspir, “Kush e solli Doruntinën” nga I. Kadare, “Frikë dhe mjerim në rajhun e tretë” B.Breht, “Dhelpra dhe rrushtë” nga G.Figueredo. Vitet 1992 deri 2005 shënojnë vitet e ndryshimeve strukturore rrënjësore në Teatrin Kombëtar, ku veçohen si dukuri: aplikimi i metodologjive të fundit teatrore; zotërimi thuajse absolut i repertorit nga pjesët e huaja, kryesisht komedi dhe tragjikomedi; pakësimi në mënyrë të ndjeshme i pjesëve dhe autorëve shqipëtarë; hapja e hapësirës për ngritjen e kompanive private. Disa nga premierat e këtyre viteve: “Dy zotërinjtë nga Verona” nga Shekspir; “Fernando Krafti më ka shkruar një letër” nga T.Dorst, me regji të G.Kame; “Tiranozauri” nga K.Trebeshina; “Don Zhuani” nga Molier; “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, “Quo Vadis”; “Kopshti me dallëndyshe” nga B.Cikliropulos; “Ëndrra e një nate dimri” nga I.Kadare; “Njeriu,virtyti,kafsha” nga L.Pirandelo; “Armiku i Popullit” nga H.Ibsen, me regji të A.Qiriaqi (2000); “Utopos” nga S.Çapaliku, me regji të R.Ljarja (2001); “Mbreti po vdes” nga E.Jonesko, me regji të A.Bora (2001); “Portreti i Dorian Greit” nga O.Uajlld, me regji të K.Londo (2002); “Gomone” nga M.Luarasi, me regji të G.Kame (2003); “Streha e të harruarve” nga R.Pulaha, me regji të M.Luarasi (2004); “Kopraci” nga Molier, me regji të H.Çuli (2004); “Pjata e drunjtë” nga Morison, me regji të G.Kame (2005); “Si e mposhta Musolinin” dramë dhe regji nga H.Mulliqi (2005); “Xhaxha Vanja” e A.P.Çehov, me regji nga H.Çuli (2005).