Biografi
Gladiola Harizaj u diplomua në Akademinë e Arteve në klasën e Prof. Niko Kanxherit dhe Alfred Trebickës, në vitin 2002. Gjatë kohës që ka ndjekur studimet, ajo ka interpretuar në role si: Ela Renthaim te pjesa “Jul Gabriel Borgman” e autorit Henrik Ibsen, Heda Gabler te “Heda Gabler” e Henrik Ibsen, Yelena Andrejevna te “Xhaxha Vanja” e Anton.P. Çehov, Tuaneta te “I sëmuri për mend” i Moliere, Vajzën pa emër te “Të verbërit” e Samuel Beckett. Pas përfundimit të studimeve, ajo vazhdon studimet e mëtejshme për aktrim pranë “Royal College of Art” në Londër, Angli. Atje përveç studimeve pati mundësinë të luajë edhe në pjesen repertor të teatrit “Questor’s Theatre” veprën “Pamje nga ura” e autorit Artur Miller ne rolin e Catherine Carbone.
Pasi mbaroi studimet në Londër, ajo kthehet në Shqipëri, ku përfshihet në spektaklin televiziv “Portokalli” me një sërë rolesh karakteri si: Stjuardesa, Parukierja, Silva, etj.
Para se të bëhej pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar, ajo luajti si aktore e lirë në pjesët “Shtëpia e Bernarda Albës” e Frederic Lorkës, në rolin e Angustias në vitin 2008; “Henri i VI” i Uilliam Shekspir, e më pas në veprën “Konkursi” i Aleksandër Galin, në rolin e Ninës. Gjithashtu, Gladiola ka qenë pjesë e disa filmave artistikë dhe televizivë si: “Ishte kohë për dashuri” nga Ylli Pepo, në rolin e Elsës; “Tirana 14” nga Edmond Mandro, në rolin e Adës; si dhe në filmin “Të thyer” nga Edmond Budina, në rolin e Emës. Që prej shtatorit të vitit 2014, Gladiola Harizaj është pjesë e organikës së brendshme të Teatrit Kombëtar. Shfaqjet ku ajo ka luajtur në këtë teatër si pjesë të tij kanë qenë kryesisht role qëndrore të veprave si: “Liri në Bremen” nga Rainer Werner Fassbinder në rolin e Gesche Gottfried, duke vazhduar me “Vdekja e Maratit” nga Peter Weiss në rolin e Simone Everard, më pas te roli i Mashës te “Tre motrat” e Anton Chekhov, te “Zbutja e kryeneçes” e William Shakespeare si Katerina, sërish te “Shtëpia e Bernarda Albës” si Angustia, te vepra “Pushteti i grave” sipas motiveve të së njëjtës vepër së Aristofanit, më pas si rrëfimtarja te vepra “Norm dhe Ahmed” e autorit Aleks Buzo. Ajo zotëron shkelqyeshem në shkrim dhe të folur Anglisht dhe Italisht.