Biografi
Olta Daku vjen nga një familje artistësh, që duket se ja ka ushqyer që në fëmijëri dashurinë për artin dhe skenën. Dhe pikërisht kontakti i hershëm me skenën pati një ndikim të madh te Olta, ndonëse më vonë ajo do të zgjidhte një rrugë disi ndryshe nga profili muzikor i nënës dhe babait të saj. Jo shumë vetë e dinë se Olta në Liceun Artistik ka studiuar për kanto dhe mund të mos ishte aktorja që njohim ne të gjithë, por siç shprehet dhe ajo vetë “nuk e pa kurrë të ardhmen e saj në këtë fushë”. Duket qartë se ajo bëri zgjedhjen e duhur teksa dhe vetë kujton entuziazmin e saj gjatë studimeve në Akademinë e Arteve e madje dhe diplomimin me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”. Sot, Olta është një aktore e afirmuar në skenën shqiptare dhe një nga të mirat e saj. Pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar që prej vitit 2003, ajo ka luajtur në mjaft shfaqje teatrale ku mund të përmendim:”Tramvaj me emrin dëshirë”, “Çifti i shqyer”, “Dashuri në furgon”, “Martesa”, “Kapitulli i dytë”, “Ariu”, “Macja mbi çatinë e nxehtë”, “Drejt Perëndimit”, “Të gjithë me huqe”, “Shirli Valentina”, “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”, “8 femra”, “Tag”, “Familja Tot”, “Galaksia (skena nga një ekzekutim)”. Olta është e njohur për humorin e saj i cili e karakterizon dhe e ka kthyer në një personazh kaq të dashur publikun. Siç shprehet dhe ajo vetë “është një emocion shumë i madh të kesh qindra spektatorë përpara teje, reagimi të cilëve mund të ndryshojë nga ajo që do të thotë aktori”. Dhe është pikërisht kjo lidhje magjike që krijohet mes saj dhe publikut që e ka bërë të dashurohet me teatrin.