SINOPS
Në qendër të veprës është dëshira e madhe e një xhelati për të arritur famën dhe thyerjen e rekordit paraprak që ka vendosur rivali i tij duke torturuar dhe varur të dënuarit me vdekje.
«Xhelatët është një nga veprat më të vlerësuara të autorit Martin McDonagh të cilën ne jemi përpjekur ta sjellim në formë sa më të përsosur te publiku shqiptar. Përmes “hakmarrjes” që i bëhet xhelatit “tonë” për një nga varjet e tij mbi një gabim gjyqësor, ne synuam të ngremë pikëpyetje mbi të kaluarën tonë dhe të tashmen tonë akoma më të dhimbshme, e cila di shumë shpesh të na ofrojë dhunë dhe marrje jete.» – shënim i regjisorit.
Qëndrim Rijani ka lindur në qytetin e Kërçovës, Maqedoni. Është diplomuar për Regji Teatri në Universitetin e Arteve,Tiranë, ku ka kryer edhe studimet master në degën Regji Teatri dhe Spektakli. Aktualisht punon si regjisor i brendshëm pranë Teatrit Shqiptar Shkup dhe si lektor i ftuar në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe në Tetovë. Deri më tani ka realizuar rreth trembëdhjetë shfaqje profesionale në teatro të ndryshëm kombëtarë dhe lokalë: “Ne vijmë për Ajër” (Skot O’Mor), “Kapitulli i Dytë” (Neil Simon), “Gjymtimi” (Martin Mcdonagh), “Doktor Shuster” (Dushan Kovacevic), “Art” (Yasmina Reza), “Gënjeshtër Pas Gënjeshtre” (Anthony Nelson), “Ushtria e Ui Tomasit” (Martin Mcdonagh), “Shtëpia e Bernarda Albës” (Federico Garcia Lorca), “Darka e Thërrimeve” (Refet Abazi), “39 Hapat” (Alfred Hitchcock), “Gratë” (Robert Thomas), “Roberto Xuko” (Bernard Marie Kolltez), “Në Det” (Slawomir Mrozhek), ” Jashtë bie borë” ( Vincenzo Salemme), me të cilat ka qenë pjesëmarrës në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Rijani numëron shtatë çmime, përfshirë çmimet si Regjisori i vitit në Maqedoni dhe Regjia e vitit në Shqipëri.
Martin McDonagh është dramaturg, skenarist, producent dhe regjisor. Ai është ndër dramaturgët më të mirënjohur irlandezë, fitues i Academy Award për filmin e shkurtër më të mirë, kandidat për tre Academy Award të tjera, fitues i tre çmimeve BAFTA në 2018 dhe dy çmimeve Golden Globe për filmin e tij Three Billboards Outside Ebbing, Misuri. Në teatër është i njohur me Trilogjinë Leenane, Trilogjinë e ishujve Aran, si dhe veprat The Pillowman, A Behanding in Spokane, Hangmen(Xhelatët) dhe A Very Very Very Dark Matter.