Altin Basha

Regjisor

Performances:

Altin Basha është një nga regjisorët më të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar. Pas përfundimit të studimeve të ciklit të lartë në Akademinë e Arteve (sot: Universiteti i Arteve), Fakulteti i Artit Skenik, dega “Regji Teatri” më 1994, ai udhëton drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku specializohet pranë British-American Drama Academy (BADA). Nuk u shkëput kurrë nga Akademia e Arteve (sot: Universiteti i Arteve), ku ushtron, që prej vitit 1998 e deri më sot, detyrën e pedagogut të “Mjeshtërisë së Aktorit”. Shumë e njohin nga puna si regjisor në dy emisionet humoristike më të njohura në vend, “Portokalli” në televizionin Top Channel (2004-2020) dhe “Kosherja” në televizionin ABC, por z.Basha është një personalitet e artit skenik mbarëshqiptar, i cili ka realizuar mjaft shfaqje të suksesshme ndër vite, ku mund të përmendim: “Ëndrra e një nate vere” nga W.Shakespeare (Teatri “A.Z.Çajupi, 1996); “Pallati i Ëndrrave” nga I.Kadare (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2002); “Allegretto Albania” nga S.Çapaliku (Teatri Kombëtar, 2008); “Nata e Helverit” (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2011); “Amadeus” (Teatri Kombëtar, 2011), shfaqje me të cilën u vlerësua me Çmimin Kult ‘Regjisori i Vitit’ (2012); “Made in Albania” (Bashkëpunim: Teatri Kombëtar Eksperimental dhe BASH-Art, 2016), e cila u vlerësua si “Shfaqja më e Mirë” në Festivalin e Dramës Nacionale (Tetovë, 2016) dhe me të cilën u vlerësua me Çmimin Kult ‘Regjisori i Vitit’ (2017); “I Ligu për Mend” (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2011), e cilësuar si “Shfaqja më e Mirë” në Festivalin “Talia e Flakës”, Gjilan; (“Rojat e Taxhit” (Bashkëpunim: Teatri Kombëtar Eksperimental dhe BASH-Art, 2018), shfaqje me të cilën u vlerësua me Çmimin Kult ‘Regjisori i Vitit’ (2018); “Gomari i Babatasit” (Teatri “Migjeni”, 2018), me të cilën u vlerësua me Çmimin “Regjia më e Mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit (2018); “Karnavalet e Korçës” (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2019), e cila u vlerësua me Çmimin “Shfaqja më e Mirë” në Festivalin Skup Fest (2019); “Bregu i Pikëllimit” (Teatri Shqiptar i Shkupit, 2019); e shumë të tjera. Shfaqjet e tij kanë marrë pjesë në disa festivale të njohura teatrore, brenda dhe jashtë vendit, si në Egjipt (International Festival of Experimental Theatre), Itali (Solisti Del Teatro), Gjermani (New plays from Europe: Theatre Bienale, Wisbaden) etj. Z.Altin Basha mban titullin “Profesor” që prej vitit 2015 dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2016. Në dhjetor të vitit 2020, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Contact: