Bujar Asqeriu

Aktor

Biografi

Bujar Asqeriu është një aktor i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar.

Ai u diplomua si aktor nga Akademia e Arteve në Tiranë dhe u rikthye në qytetin e lindjes, në Vlorë, më 1979. Për 15 vjet, Asqeriu qëndroi aktor i Teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe pati një karrierë intensive në film, duke filluar me rolet e Fatosit dhe Muzakës, respektivisht në filmat “Në shtëpinë tonë” (Dh. Anagnosti, 1979) dhe “Liri a vdekje” (I. Muça & K. Mitro, 1979). Por suksesin më të madh e ka pasur me rolet e Telos në filmin “Njeriu i mirë” 1982 dhe Avni Rustemit në filmin “Një emër midis njerëzve” 1983, për të cilët ka fituar Medaljonin e Festivaleve të Filmit të viteve 1983 e 1985. Një ndër aktorët më të mirë të skenës shqiptare, ai ka luajtur në komedi dhe në dramë mbi 60 role. Nga shfaqjet teatrore në të cilat ai ka pasur rol mund të përmendim: “Familja Tot”, “Armiku i popullit”, “Tri motrat”, “Galaksia”, “Dasma”, “Gomonet”, “Nderi i kombit”, “Pjata prej druri”, “Shfaqja e fundit”, “Gjethja”, “S’ka të ngopur” etj.

Ndër filmat e tjerë mund të përmendim “Në shtëpinë tonë” (1979), “Radiostacioni” (1979), “Vëllezër dhe shokë” (1979), “Në Prag të lirisë” (1981), “Në emër të lirisë” (1987), “Misioni përtej detit” (1988), “Jeta në duart e tjetrit” (1990), “Dëshpërimisht” (2000).

Contact: