Hervin Çuli përfundoi studimet në Akademinë e Arteve (sot: Universiteti i Arteve) më 1994, dega ‘aktrim’. Nga viti 1994 deri më 1996, ai u specializua për regji teatri’ pranë Akademisë së Teatrit në Bukuresht, Rumani. Në vitin 1999 themelohet Kompania Teatrore “Princi i vogël” nga Hervin Çuli dhe Carlo Bolino, botues i “Gazeta Shqiptare”. Kjo kompani vetëm me dy premiera “Anonimi i Venedikut” dhe “Ylli pa emër” arriti një numër rekord spektatorësh (52 432), në Tiranë dhe jashtë saj. Në vitin 2002, Hervin Çuli, së bashku me gazetarin dhe dramaturgun italian Leonardo Franchini, organizuan projektin tre mujor “Senza confini”. Ky projekt u zhvillua ne periudhën korrik-tetor në Trento (Rovereto) dhe kishte si qëllim integrimin e komuniteteve të emigrantëve në jetën kulturore italiane. Për tre muaj shumë emigrantë (shqiptarë dhe të tjerë) morën njohuri në një shkolle tË hapur verore dhe në fund u ndërtuan dy shfaqje, “Vizita” dhe “Pas vdekjes”, me këtë komunitet. Aktiviteti u pasqyrua gjerësisht nga RAI 3 dhe u quajt si një nga projektet më të bukur të organizuar në Rovereto. Në vitin 2001-2002 në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe USAID organizohet një projekt gjashtë mujor për integrimin në shoqëri nëpërmjet teatrit të vajzave të trafikuara. Ky projekt u përmbyll me shfaqjen “Kamila e ëngjëjve”, ku krahas aktorëve të mirënjohur interpretuan për herë të parë në skenë dhe vajza të trafikuara. Pas kthimit në vendlindje, emërohet aktor pranë Teatrin Kombëtar, pozicion të cilin e mban deri në vitin 2006. Gjatë kësaj kohe Hervin Çuli vendos në skenën e Teatri Kombëtar disa vepra si: “Gënjeshtari” nga Carlo Goldoni; “Kamila e ëngjëjve” Jean Condoliere; “Kopraci” nga Molier; “Hijet e natës” nga Vedat Kokona, me të cilën nderohet me çmimin “Regjisori më i mirë shqiptar” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit (2003); “Xhaxha Vanja” nga A.P. Çehov. Krahas regjisë, ai interpreton në disa role në teatër si: Platoni te “Oportunesku” me regji të Mihail Manolesku; Ben Boja te “Nemesis” me regji të Agim Qirjaqit; Çiçone te “Jashtë bie borë” me regji të Gëzim Kames; Aldo te “Pastiçeri Belavista” me regji të Gëzim Kames; Profesor Kac te “Rrëshajet” me regji të Arben Kumbaros; Ylli te “Një varr për majorin e mbretit” me regji të Aqif Mulliqit; Edi te “Pjata prej druri” me regji të Gëzim Kames. Mes viteve 2010-2013, Hervin Çuli punon si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu, në qytetin e Durrësit. Gjatë kësaj periudhë vuri në skenë disa shfaqje si: “Pas vdekjes” nga A.Z.Çajupi; “Udhëtimi pa vizë i një alieni” nga Bashkim Hoxha; “Shërbëtori i dy zotërinjve” nga Carlo Goldoni. Në vitin 2014, Hervin Çuli emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, pozicion të cilin e mban edhe sot. Në Teatrin Kombëtar, ai vuri në skenë shfaqjen “Tri motrat” nga A.P.Çehov në vitin 2016 dhe interpretoi rolin e Maratit te “Vrasja e Maratit” me regji të Arben Kumbaros, rolin e Herrit te shfaqja “Xhelatët” me regji të Qëndrim Rijanit, dhe rolin e Znjsh. Henigan te shfaqja “Annie” me regji të Adelina Muçës. Në vitin 2020, ai vuri në skenë në Festivali KokoFest shfaqjen “Pas vdekjes”, e cila u vlerësua si “Shfaqja më e Mirë” në këtë festival. Gjatë karrierës së tij artistike, Hervin Çuli numëron 44 vënie në skenë si regjisor dhe ka interpretuar 27 role si aktor.