Biografi
Ina Gjonçi u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura (sot: Universiteti i Arteve) në vitin 2008, në kursin e profesorëve Timo Flloko dhe Niko Kanxheri, nen drejtimin e të cilëve, gjatë katër viteve akademike, luajti autorë si Anton Çehov, Tennessee Williams, Nikolai Gogol etj. Tema e diplomës ishte nje hulumtim në përballjen mes Stanislavaskit dhe Strasbergut. Ajo ka interpretuar në Teatrin Kombëtar, Teatrin Metropol, Teatrin e Komedisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental, Teatrin Migjeni si dhe në projekte të skenës së pavarur. Një nga rolet e para, është ai i zonjushës Zhyli, në shfaqjen me të njëjtin titull, të Strindbergut, vënë në skenë nga Luli Hoxha. Në vitin 2007, luan Margaritën, në shfaqjen “Mbreti po vdes” nga Jonesko, me regji të Inida Gjatës, në kuader të “Festivalit të regjisorëve të rinj” si dhe në 2009 bashkëpunon me Teatrin Migjeni, në shfaqjen e Stefan Çapalikut “Shën Gjon Krypremi”, ku luan Komunisten. Në po të njëjtin vit, ngjitet për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e Antigonës në shfaqjen “Antigona kërkon të atin”, shkruar dhe vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Në vitin 2010, do të niste një seri shfaqjesh në Teatrin e Metropolit: luan Sarën në “Playboy i Trojeve tona” nga Synge me regji nga Kico Londo; Olimbinë tek “Karnavalet e Korçës” nga Spiro Çomora, me regji të Elma Doresit; Rebekën te “Hiqe ministrin nga priza” nga Monty Python me regji të Arbër Jakllarit. në Teatrin e Komedisë; luan Suzanën tek “Kasollja e vogël” nga Andre’ Roussin, me regji të Sesilia Plasarit e më pas Veronikën tek projekti i pavarur “Shk*rdhata me kapele” nga Stephen Adly Guirgis, nën regjinë e Kled Kapexhiut.Roli i Natashës te “Tri motrat” nga Çehov, me regji nga Hervin Çuli, e rikthen në skenën e Teatrit Kombetër. Në Teatrin Kombëtar Eksperimental luan Blanche Du Buois në “Tramvaji Dëshirë” nga Tennessee Williams,vënë në skenë nga Kico Londo. Nën regjinë e Allois Galle, në Teatrin Migjeni luan Vajzën e Embel në “Reigen” të Arthur Schnitzler. Në vitin 2019 luan në monodramën “Letër fëmijës që nuk u lind kurrë” të Oriana Fallacit, të vënë në skenë nga vetë ajo. Në po të njëjtin vit, bëhet pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar, me rolin e Harper Pitt te “Engjëjt e Amerikës”, nga Tony Kushner, me regji të Arben Kumbaros. Në Teatrin Kombëtar vazhdon të luajë tek “Xhelatët” nga Martin McDonagh, me regji të Qëndrim Rijanit, shfaqje në te cilën është edhe dramaturge.