EQUUS

28

January

Mbi veprën

“Equus” është një ndër veprat më kontraverse të dramaturgut Peter Shaffer (1926-2016). Ky shkrimtar me veprat e tij komplekse , hyri në gamën e shkrimtarëve klasikë, kur ishte ende gjallë. Shaffer, i frymëzuar nga një histori e vërtetë, shkruan këtë vepër në vitin 1973. Drama, për herë të pare, u vendos në Londër në vitin 1974 dhe fitoi çmimin “Tony Award” si ‘Shfaqja më e mirë’ ee menjëherë pas kësaj, shfaqja u vendos më shumë se 1000 herë në Broadway. “Equus” është udhëtimi i mendjes së një djaloshi, i cili me një çengel, verbon gjashtë kuaj. Historia flet për marrëdhënien e një psikiatri me pacientin e tij adoleshent, i cili pasionin e tij për kuajt e tregon me verbimin e tyre. Fokusi i veprës bie mbi Alan Strang, një 17-vjeçar, dhe Martin Dysard, një psikiatër i moshës së mesme, i cili pranon ta kurojë atë. Gradualisht, ai zbulon arsyet të cilat shtynë djalin të kryejë krimin. Doktori ,sa më shumë i afrohet pacientit dhe kupton motivet e tij ,aq më shumë shqetësohet se si duhet të sillet me Alanin dhe ‘’botën e tij të brendshme’’ të cilën, djali e ka krijuar në kokën e tij, duke vënë në pikëpyetje motivin profesional, madje edhe vetë ekzistencën e tij. Nëpërmjet raportit me fenë, Alani krijon perëndinë e tij ‘’Equus’’ dhe ritualin personal. Magjepsjen e tij për të mbinatyrshmen, ai e ngatërron me tërheqjen seksuale. Konfunzioni i tij, i lë hapësirë pyetjeve mbi marrëdhënien mes vlerës personale dhe normave shoqërore. Shfaqja vjen në formën e një trilleri psikologjik (histori hetimi) ndërthurur me elemente të thellë humori. “Equus” ngre dilemën- Cfarë është normale ? A duhet t’i edukojmë fëmijët për të qënë normal? Humori, imazhet e forta dhe mjetet dramatike përcjellin qartë tema të rëndësishme, si dhe theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet:mungesa qytetarisë ,morali i rremë,erotizmi,fashizmit të të gjitha ideologjive,pandjeshmëria e shoqerisë ndaj të ndryshmes. Vetë Shaffer, ka shkruar skenarin e filmit me të njëjtin titull, bazuar mbi veprën dramatike.

Mbi autorin

Peter Shaffer