Mbi veprën
Është një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor – ( që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve. Pirandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij : teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilologjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion.. Tema e pjesës ngre pikëpyetje në lidhje me tekstin dhe si do të vihet në skenë, punës së regjisorit dhe të aktorëve që duhet t’i japin jetë botës së tij. Teatri për Pirandelon është një metaforë e jetës, që na tregon se ashtu siç aktorët, janë dënuar brenda kufinjve të skenës dhe kohës skenike, për të pasur një ekzistencë, ashtu edhe teatri, “para se të jetë një forme tradicionale e letërsisë, është një shprehje e natyrshme e jetës, e cila, ashtu si shfaqja, ka një fund.”
Mbi autorin
Më 28 qershor të 1867 në Girgenti, sot Agrigento, lindi Luigi Pirandello, dramaturg, shkrimtar dhe poet italian .Ai shkruan veprën e tij të parë “Barbari” vetëm 11 vjeç. “Unë jam bir i Kaosit, dhe kjo jo e thënë në një mënyrë alegorike, por të vërtetë, pasi kam lindur në një fshat, që quhet Càvusu nga banorët e Girgenti, një fjalë dialektore që nga fjalori antik grek do të thotë “Kaos”. Kaosi i sjellë nga Pirandello për të shpjeguar origjinën dhe fatin e tij, në fakt i takon dhe veprës së tij, e cila është një përshfaqje dramatike dhe ironike e vetë kaosit. Teatri i tij inskenon dramën e jetës në pasqyrë , un- i që ndahet nga jeta e tij dhe e sheh veten nga jashtë, të reflektuar në formën e një narcizismi tragjik . Konflikti mes Formës dhe Jetës, është origjina e dramës së tij. “Kur dikush jeton vërtet, jeton dhe nuk arrin ta shohë veten. Nëpërmjet teatrit ne bëjmë që ai ta shohë atë, pikërisht gjatë aktit të jetuarit, i mbërthyer nga pasionet e tij, duke i vënë një pasqyrë përpara”, kjo gjë shpesh shkakton reagime të forta zemërimi, të papritura dhe “ nëse ka qarë dikur, tani nuk do të qajë më, e nëse ka qeshur nuk do mundet më…Ky telash është teatri im.”shprehet Pirandelo. Teatri i Pirandelos është quajtur “teatri i pasqyrës”, pasi në të duket jeta e vërtetë, ajo e zhveshura, e hidhura, pa maskat e hipokrizisë dhe të konvencioneve shoqërore, në mënyrë që publiku të shohë veten të reflektuar dhe kështu, duke e parë të ndryshojë për të qenë më i mirë. Suksesin e tij më të madh ai e arriti në 1922 kur u vendos në teatër. Edhe pse me një krijimtari të gjerë artistike në novela, tregime të shkurtra e romane, ai vlerësohet me Çmimin Nobel në 1924 – “për kurajon dhe gjenialitetin e tij në përshfaqjen e artit dramatik e teatral.” Në 1925 themeloi Kompaninë e Teatrit të Artit me të cilën udhëtoi nëpër botë. Vdes në 1936, duke lënë të papërfunduar testamentin e tij shpirtëror, dramën “Gjigantët e malit”.