Mbi veprën
Tartufi është personifikimi i hipokrizisë.Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “ Ai është një Tartuf”.Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë . Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi. Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij.
Mbi autorin
Jean –Baptiste Poquelin, i njohur me pseudonimin “Moliere”, ishte dramaturg dhe aktor francez i konsideruar si një nga mjeshtërit më të mëdhenj të komedisë perëndimore. Ndër veprat më të njohura të tij përmendim “Mizantropi”, “Shkolla e grave”, I sëmuri imagjinar”, “Borgjezi fisnik”, “Don Zhuani”, “Kopraci”, “Tartufi”(ose Hipokriti), etj. Molieri lindi në Paris në vitin 1622. I biri i Jean Poquelin dhe Marie Cressé. Që në moshë të vogël, ai e kuptoi që e ardhmja e tij do të ishte teatri, duke iu përkushtuar këtij të fundit.Edhe pse Molieri dështoi me veprat e para, ku fillimisht preferonte më tepër dramën dhe tragjedinë, ai nuk u dorëzua . Ai u bë i famshëm me fansat e tij, kryesisht me nje akt, e më pas me komedinë. Komedia e tij prek në mënyrë direkte veset njerëzore.Ai i zmadhon këto vese, për ti satirizuar dhe për t’i identifikuar. Publiku filloi të shikonte realitetin në teatër. Shpesh Molieri është akuzuar për një stil të paqëndrueshëm, joorganik, si një komedian që përdor “shumë fjalë” për të plotësuar linjat dhe për të nxjerrë në pah metaforat e tij të qëllimshme. Deri diku këto janë të vërteta. Komeditë e tij, kanë një dramë të fortë brenda tyre.Është edhe gjenialiteti i këtij autori. Disa nga veprat e tij kanë qënë të censuruara për vite me rradhë, por me mbështetjen e Louis XIV (Luigjit te katërmbëdhjetë), ai arriti të gjente rrugëdalje në mënyrë që veprat e tij të ngjiteshin në skenë.