CORIOLANUS

20

February

Mbi veprën

CORIOLANUS është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut ("Jetë paralele"). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shakespeare ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. Ai na ngjall para syve Romën aq antike, komplekse dhe moderne në të njëjtën kohë. Vepra ndodh në fillimet e Republikës së Romës. Destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e papritura të dhunës, rrënimi i pushtetit popullor, manipulimi i turmave, kurthet politike në Parlament, ekstremizmi demokratik, pushteti autokratik dhe përdorimi i tij, janë dekori në të cilin ndodh tragjedia e Kaj Marcit (CORIOLANUS). Fisnikëria e këtij heroi betejash mposhtet nga mungesa e aftësisë për të kuptuar makinacionet e politikës...

Mbi autorin

William Shakespeare, i njohur edhe si "Rapsodi i Avonit" (Bard of Avon), ka qenë një poet, dramaturg dhe aktor anglez, i konsideruar nga shumë kritikë si dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave. I biri i John Shakespeare dhe Mary Arden, mendohet se ai ka lindur më 23 prill të vitit 1564, por ajo që dihet me siguri është që është pagëzuar më 26 prill 1564 në qytetin Stratford-upon-Avon. Nuk dihet shumë për jetën e tij private, përtej regjistrave të kishës, disa dokumetave gjyqësor dhe çertifikatës së martesës e të vdekjes, që rastësisht është po 23 prilli i supozuar si ditëlindja e tij, por 23 prilli i vitit 1616. Shakespeare zë një vend unik në letërsinë botërore. Asnjë shkrimtar tjetër nuk i ka tejkaluar kaq shumë kufijtë kombëtarë me veprat e tij; vepra të cilat, ndonëse janë shkruar në shekullin e XVI-të dhe XVII-të për një teatër të vogël repertori, performohen dhe lexohen gjithmonë e më shpesh në një shkallë botërore. Galeria e veprave, duke mos llogaritur poemat, përbëhet nga 37 pjesë teatrore. Fillesa e krijimtarisë së Shakespeare përkon me temën historike që përbënte dhe interesimin e kohës. Më 1591 erdhi në jetë "Henry VI" (Henriku VI), për t’u pasuar nga "Richard III" (Rikardi III) më 1593, “Richard II” (Rikardi II) më 1595, "Henry IV" (Henriku IV) që daton në periudhën 1596-1597, dhe mbyllëse e këtij kapitulli të teatrit historik vjen më 1599 me “Henry V” (Henriku V). Në të njëjtën periudhë jetësohen edhe komeditë. E para e këtij vargani është "The comedy of mismatches" (Komedia e keqkuptimeve)më 1594, pastaj "The Taming of the Shrew" (Zbutja e kryeneçes) shkruar nga Shakespeare në të njëjtin vit. "Midsummer night's dream" (Ëndrra e një nate vere) vjen më 1595, e pasuar nga "The merry wives of Windsor" (Gratë gazmore të Uindstorit) më 1597. Tri komedi të tjera vijnë në kohështrirjen e viteve 1598-1601; ato janë "Much ado about nothing" (Shumë zhurmë për asgjë) “As you like it”(Si t'ju pëlqejë) dhe “Twelfth night” (Nata e dymbëdhjetë). Dhe çelet sipari i tragjedive që nis me një pjesë shumë të dhunshme në stilin e kohës, me vrasje, përdhunime, gjymtime. Bëhet fjalë për “Titus Andronicus” (Titus Andronikus), kohë në të cilën pena e jashtëzakonshme shkruan dhe "Romeo and Juliet (Romeo dhe Xhulieta). Pas vitit 1600 ai hedh në letër e vë në skenë tragjeditë e mëdha me temë nga lashtësia: “Antony and Cleopatra”(Antoni dhe Kleopatra), “Coriolanus"(Koriolanus) dhe "Timon of Athens”(Timoni i Athinës). Kjo është koha e veprave epokale “Julius Caesar” (Jul Çezari) më 1599, “Hamlet” (Hamleti) më 1601, “Othello” (Othello), 1604, “Macbeth” (Makbeth) më 1606 dhe "King Lear" (Mbreti Lir) diku rreth atij viti. Veprat e Shakespeare flasin sot, në botën moderne, me të njëjtën forcë që kanë folur në kohën kur janë shkruar. Letërsia britanike, dramaturgjia, krejt bota e letrave, e konsiderojne veprën e Shekspirit si dëshminë më shembullore të brilancës artistike.