Mbi veprën
Dikur një anëtar shumë i suksesshëm i Këshillit të Qarkut, një njeri plot humor, pasion dhe dashuri, Nikollaj Ivanov po kalon një krizë të moshës së mesme. Ai nuk ka më ndjenja për gruan e tij Anën, e cila sakrifikoi gjithçka për të, është thellësisht në borxhe, rrezikon të humbasë pasurinë e tij, dhe ajo që është më shqetësuese, ai është në depresion të rëndë. Por, sado i vetëdijshëm të jetë ai për këtë ndryshim, duket se nuk mund t’a ndalë dot… dhe kjo i prek të gjithë rreth tij…
Mbi autorin
Anton Çehov ishte mjek, dramaturg dhe shkrimtar rus i cili konsiderohet si ndër shkrimtarët më të mirë të tregimeve. Lindi më 29 Janar të vitit 1860 dhe vdiq më 15 Korrik 1904, nga sëmundja e turberkulozit. Anton Çehov konsiderohet si mjeshtër i tregimit dhe si një ndër dramaturgët kryesorë dhe më të rëndësishëm të fund shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër vepra të famshme klasike dhe tregimet e tij më të njohura janë bërë objekte studimi nga shumë kritikë letrarë.Shkrimtari i famshëm rus në veprat e tij thekson rëndësinë e humanizmit në jetën njerëzore dhe rëndësinë e fshehur të aktiviteteve të përditëshme. Në vitin 1879 autori vazhdoi studimet për mjekësi në Moskë. Për Çehov-in mjekësia ishte një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tij, duke u shprehur se “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme” ndërsa “ letërsia është e dashura ime”. Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Anton Çehov ishte ndër figurat kryesore që themeloi teatrin modern. Pas shfaqjes “Pulëbardha”në vitin 1896 Çehov vendos të heq dorë nga Teatri pasi shfaqja nuk u prit mirë nga audienca, por kjo shfaqje u ringjall sërisht në vitin 1898 nga Konstantin Stanislavski i Teatrit Artistik të Moskës i cili vendosi në skenë gjithashtu “Xhaxha Vanja” dhe 2 veprat e tij të fundit “Tri Motrat” dhe “Kopshti i Qershive”.Këto katër vepra konsiderohen si një sfidë për aktrimin në tërësi, po ashtu dhe për publikun sepse në vend të një doktrine të zakonshme të teatrit Çehovi na prezanton me “Teatrin e gjëndjes” dhe me “Zhytjen e jetës në tekst”.Në fillim të karrierës së tij si shkrimtar, Çehov shkruajti tregime për të siguruar të ardhura financiare, me kalimin e kohës ambicia e tij artistike filloi të rritej, kështu ai nisi të shkruaj tregime me inovacione të spikatura të cilat kanë influencuar në zhvillimin e tregimit modern.Ai asnjëherë nuk i kërkoi falje lexuesit për veshtirësitë e hasura gjatë leximit duke theksuar, se roli i një artisti është të bëj pyetje dhe jo tu përgjigjet atyre.