Biografi
Indrit Çobani është një aktor mjaft i njohur dhe pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar. Pasioni i tij për teatrin i lindi që në fëmijëri teksa ndiqte shfaqjet teatrale çdo të mërkurë në RTSH. Mbas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve (sot: Universiteti i Arteve), dega ‘regjisurë’, ai ngjitet për herë të parë në skenë me shfaqjen “Banja e fundit” me regji të Andia Xhungës. Indriti ka spikatur me interpretimet e tij si në dramë ashtu edhe në komedi, me shfaqjet: “Engjëjt e Amerikës” me regji të Arben Kumbaros; “Mashtrimi” me regji të Artan Imamit; “Familja Tot” me regji të Andia Xhungës; “Tri motrat” me regji të Hervin Çulit; “Makbeth” me regji të Kledi Kapexhiut; “Lukrecia Borxhia” me regji të Eric Vigner; “Henri VI” me regji të Adonis Filipit; “Zyshë e dashur”, “Bebet e Kazanovës”; “Zonjusha Zhuli”, “Pamje nga ura”, e shumë të tjera. Indrit Çobani, krahas Andia Xhungës, do të jetë regjisor në produksionin e ardhshëm të Teatri Kombëtar “Edmond” nga autori Alexis Michalik.